Video / SPAK dhe BKH në Elbasan me aksione të shtrira, por ende pa rezultate konkrete
SPAK dhe BKH në Elbasan me aksione të shtrira, por ende pa rezultate konkrete
Një javë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, Elbasani është bërë epiqendër e një tjetër operacioni të ndërmarrë nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Megjithatë, ndonëse ndërhyrja është shoqëruar me një prani të shtuar forcash policore dhe një valë kontrollesh në disa banesa dhe biznese, bilanci konkret i aksionit mbetet i paqartë dhe i pazbardhur për publikun.
Sipas burimeve zyrtare, kontrollet janë pjesë e një vendimi të Gjykatës së Posaçme dhe synojnë mbledhjen e provave lidhur me krimet e mundshme zgjedhore të ndodhura në këtë qark, përfshirë akuzat për korrupsion elektoral, blerje votash, shantazhe, përdorim të administratës dhe përfshirje të bizneseve e grupeve të strukturuara kriminale në procesin zgjedhor.
Kontrollet janë zhvilluar në një biznes privat, një lokal dhe tre banesa, ndërsa janë sekuestruar pajisje DVR, telefona celularë dhe materiale të tjera që mund të shërbejnë për hetim. Operacioni është mbështetur edhe nga policia e Elbasanit .
Megjithë intensitetin e lëvizjeve në terren, mungesa e komunikimit të qartë institucional dhe e rezultateve konkrete lë pas një ndjesi më shumë zhurme se sa transparencë dhe efektivitet. Elbasani, një qark me histori problematikash në zgjedhje të kaluara, mbetet sërish në qendër të vëmendjes ,por pa qartësi mbi faktet, përgjegjësit apo pasojat ligjore të mundshme.
Aksioni vjen pas ndërhyrjeve në Kavajë, ku u kontrolluan banesa, përfshirë edhe atë të ish-kryebashkiakut Elvis Roshi.