VIDEO / Shërbesa e Përmortshme e të lumurit atit dhe kryebariut tonë Anastas.
Shërbesa e Përmortshme e të lumurit atit dhe kryebariut tonë Anastas u mbajt në ditën e festës së Tre Hierarkëve, mbrojtësve të arsimit dhe të dijes, të cilët i nderoi aq shumë me veprën dhe fjalën e tij.
Mijëra shqiptarë dhe të huaj, ortodoksë ose jo, erdhën në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” për të marrë për herë të fundit bekimin e tij deri në momentin e mbajtjes së Shërbesës së Përmortshme.
Nën kryesimin e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik imzot Vartholomeut, u mbajt në orën 11 të mesditës, Shërbesa e Përmortshme e të ndjerit Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, imzot Anastasit.
Gjithashtu kjo shërbesë u celebrua nga mbikëqyrësi i Fronit, Mitropoliti i Korçës, z. Joan, si dhe Mitropolitët e Gjirokastrës, z. Dhimitër, Apolonisë dhe Fierit, z. Nikolla, i Elbasanit, z. Anton, i Beratit, z. Asti, i Amantias, z. Nathanail dhe Peshkopi i Krujës, z. Anastas.
Të pranishëm ishin Patriarkët e Aleksandrisë, Fortlumturia e Tij Theodhori, i Jeruzalemit, Fortlumturia e Tij Theofili, i Bullgarisë, Fortlumturia e Tij Danieli, si dhe Kryepiskopët e Qipros, Fortlumturia e Tij Gjeorgji, i Athinës dhe gjithë Greqisë, Fortlumturia e Tij Jeronimi.
Gjithashtu morën pjesë përfaqësues nga Patriarkane e Antiokisë, Moskës, Serbisë, Rumanisë dhe Gjeorgjisë, si dhe nga Kishat Autoqefale të Polonisë dhe të Çekisë e Sllovakisë. Klerikë të të gjitha niveleve nga Kishat Ortodokse dhe Kryepiskopata e Ohrit. Përfaqësues të Kishës Armene, përfaqësues të lartë të Kishave të tjera të krishtera (Katolikë Romakë, Protestantë) dhe të besimeve të tjera fetare (Sunitë, Bektashinj). Presidenti i Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, Dr. Strohm.
Himnet u interpretuan në gjuhën shqipe nga kori bizantin i Katedrales, nën drejtimin e Kryepsaltit Theodhor Peci. Ungjilli u lexua në gjuhën greke nga Patriarku Ekumenik Tërëshenjtëra e Tij Bartholomeu, ndërsa në gjuhën shqipe nga Mitropoliti i Korçës, imzot Joani.
Në Shërbesën e Përmortshme morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryeministrat e Shqipërisë dhe Greqisë, Edi Rama dhe Kyriakos Mitsotakis, përfaqësues të Trupit Diplomatik, ministra në detyrë dhe ish-ministra, akademikë, profesorë dhe mjekët personalë të Kryepiskopit të ndjerë Anastasit. Në Tiranë ishin të pranishëm Ministri i Jashtëm, Jorgos Gerapetritis, Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, Ministri i Arsimit, Kyriakos Pierrakakis dhe Ministri i Financave, Kostis Haxidakis.
Në fund të shërbesës u mbajtën fjalimet mortore nga Mbikëqyrësi i Fronit, Mitropoliti i Korçës, imzot Joani, koordinatori i Këshillit Botëror të Kishave, Ipeshkvi Heinrich Bedford-Strohm, mbesa e Kryepiskopit Anastas, Roxani Giannulatos,nga Kryeministrat e Greqisë dhe Shqipërisë, Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Rama dhe në fund nga nga Patriarku Ekumenik Tërëshenjtëria e Tij imzot Vartholomeu.
Menjëherë pas përfundimit të Shërbesës së Përmortshme, trupin e të lumurit Kryepiskop e nderuan për herë të fundit Primatët e Kishave Orthodhokse, peshkopët e Kishës së Shqipërisë dhe klerikët e tij, të cilët mbajtën arkivolin mbi duar dhe u drejtuan drejt varrit, i cili ndodhet poshtë Altarit të Katedrales, në një kriptë të veçantë që ishte përgatitur nga vetë i lumuri Kryepiskop Anastas.