Shën Kolli i Shelcanit/Kisha ku u zbulua Onufri Nga Ilirjan Gjika
Shën Kolli i Shelcanit/Kisha ku u zbulua Onufri
Nga Ilirjan Gjika
Onufri përfaqëson një prej mjeshtrave më të shquar të pikturës postbizantine në Shqipëri dhe një nga më të mirët e kësaj gjinie në Ballkan (1). Ai ishte një piktor që e ushtroi veprimtarinë e tij gjatë shek. XVI dhe krijoi vepra arti që ruhen në kishat e ‘’Shën Nikollës’’ dhe ‘’Shën e Premtes’’ në Shelcan dhe Valësh të Shpatit, të ‘’Shën Teodorit’’ dhe ‘’Ungjëllizimit’’ në Kalanë e Beratit, të ‘’Anargjirëve Kozma e Damian’’ dhe të ‘’Apostujve’’ në Kostur të Greqisë, si dhe të manastireve të ‘’Shën Nikollës’’ në Zerzë, Prilep të Maqedonisë së Veriut dhe të Moldavicës në Moldavi (2). ‘’Piktura e tij dallohet për prirjet realiste deri antiklasike dhe për veçori të theksuara origjinale, sidomos përsa i përket pasurimit të koloritit dhe forcës artistike’’, thekson në librin e tij ‘’Ikona’’ studjuesi Kliti Kallamata (3). Ndërsa Dhorka Dhamo, studjuese e artit mesjetar, te ‘’Fjalori Enciklopedik Shqiptar’’ (1985) e veçon atë si mjeshtër kolorist, ku: ‘’Parapëlqen kontrastin e fortë të ngjyrave dhe gradacionin e butë tonal, të kuqen e flakëruar, ‘të veçantë e të paimitueshme’, vjollcën, të gjelbrën, të artën e shndritshme vezulluese’’ (4). Ndërkohë deri në vitin 1951, Onufri dhe veprat e tij jo vetëm që nuk njiheshin nga studjuesit e fushës por edhe nga publiku i gjerë në Shqipëri (5). Në verën e vitit 1951 do të ishte një ekspeditë studimore e Institutit të Shkencave e cila do të zbulonte në afresket e kishës së ‘’Shën Kollit’’ në Shelcan një mbishkrim në greqishten bizantine, ku përmendej një piktor i quajtur Onufër (6). “Kur të ngresh duart e tua te Perëndia o meshtar i Perëndisë, më përmend edhe mua mëkatarin dhe të paditurin piktor Onufrin”, shkruhej në të (7).”
”Në vitin 1951 gjatë një ekspedite arkeologjike t’Institutit të Shkencavet, autori i këtyre radhëve mundi të zbulojë dhe deshifrojë mbishkrimin e kishës së shën Kollit në katundin Shelcan (Shpat i Elbasanit), i cili na dha për herë të parë emrin e piktorit tonë Onufrit nga Neokastra (Elbasani)’’. Kështu shkruan rreth kësaj ngjarjeje studuesi Theofan Popa në shkrimin studimor: ‘’Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI’’, botuar në vitin 1957 në Buletinin për Shkencat Shoqërore (8). Por të tjera të dhëna në këtë drejtim do të sillte edhe zbulimi i bërë po nga kjo ekspeditë. I tillë ishte evidentimi i tre mbishkrimeve në afresket e kishës fqinje të “Shën e Premtes” në Valësh, ku krahas emrit dhe titujve, Onufri, kishte shkruar edhe vitin e pikturimit: 1554. ‘’Kur të ngresh duart e tua nga Perëndia o meshtar i Perëndisë, më përmend dhe mua mëkatarin, prift Onufrin, piktorin dhe protopapë të Neokastrës (Elbasanit)’’, shkruhet në njërin prej tyre (9). Kështu, pas këtyre zbulimeve nisën edhe studimet rreth veprës dhe veprimtarisë së tij. Një meritë të jashtëzakonshme në këtë drejtim do të kishin, studjuesja Viktori Puzanova, me publikimin e shkrimit ‘’Piktori shqiptar i shekullit të XVI-të Onufri nga Neokastra (Elbasan)’’, botuar në Buletinin për Shkencat Shoqërore në vitin 1953 dhe Theofan Popa, me shkrimin e cituar më sipër (Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI) (10). Më pas do të ishin një sërë shkrimesh, botimesh dhe prezantimesh të veprës së tij brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe Ekspozitën e Artit Shqiptar, prezantuar në Paris në vitin 1972 (11).
‘’Onufri ka historinë e tij të ‘zbulimit’. Për katër shekuj ai luftoi me anonimatin e pamëshirshëm’’, thekson për këtë rast studjuesi Moikom Zeqo (12). Sipas tij, ‘’Onufri spikat me artin e një intelektuali të lartë dhe të një mjeshtërie të hollë, bazuar në stilin rezultativ dhe humanistik të Rilindjes Paleologe, por në etapën postbizantine, në lakun kohor kur arti ikonografik kishtar në Ballkan kishte rënë në nivele të imitimit të formave folklorike rurale’’ (13). Por ç’përfaqëson kisha e ‘’Shën Kollit’’ në Shelcan, një objekt që ruante afresket e Onufrit?! E ndërtuar diku në fund të shek. XIV, faltorja, është ndërtim njënefësh me hajate të shtuara në një kohë më të vonë në anën perëndimore dhe jugore (14). Në kishë hyet nga një portë në anën perëndimore ndërsa naosi mbulohet me çati me kapriata druri pa tavan dhe dyshemeja është e shtruar me pllaka guri. Ai ndahet nga altari nga një ikonostas prej muri të pikturuar me afreske i cili përbëhet nga dy dyer, një në qëndër dhe tjetra në anën veriore. Në murin lindor të kishës bie në sy absida gjysëmrrethore në qendër të së cilës ndodhet një dritare ndriçimi e ngushtë dhe e lartë. Duhet theksuar se muri lindor dhe absida janë ndërtuar me teknikën e kluasonazhit me tulla të vendosura vertikalisht midis dy apo tre rreshtave horizontalë (15). Një pjesë e kishës së ‘’Shën Kollit’’ e cila ka përmasa 13.53 x 6.30 m, është pikturuar nga brenda me afreske nga Onufri, ndërsa pjesa tjetër është pikturuar më vonë nga një piktor anonim në vitin 1625. Në këto afreske, Onufri, ka lënë 7 mbishkrime ku mungon viti i pikturimit (16). Sipas Theofan Popës kur ka realizuar këto piktura murale ai ishte laik, sepse në mbishkrimin që ndodhet në murin verior pranë tryezës së prothesit e cilëson veten ‘’piktor’’ (17). Ndërsa në pikturimin e afreskeve të kishës së ‘’Shën e Premtes’’ në Valësh, Onufri, prezantohet si: ‘’prift, piktor dhe protopapë’’ (18). Por cilat ishin koha dhe rrethanat që ky mjeshtër pikturoi interieret e këtyre dy kishave të Shpatit?! Nga analiza e thjeshtë e fakteve kuptojmë se hapësira kohore e që ai punoi këtu duhet të ketë qenë e konsiderushme. Kështu, nga një piktor i thjeshtë që rezulton në kishën e ‘’Shën Kollit’’ të Shelcanit, ai, është bërë tashmë jo vetëm prift por edhe protopapë, sipas mbishkrimit në kishën e ‘’Shën e Premtes’’ në Valësh. ‘’ …. u shtua nga katundi i valshakëve dhe është pikturuar me shpenzimet …. dhe fort i devotshmi prift Gjergj i Logothetit ka dhënë e mbolla (?) …. (ju) të Neokastrës që e vështroni lutuni për zotërinë që ka dhënë dhuratën, në vitin 1554 cikël (të diellit), 12, cikël (të hënës) …. ‘’ shkruhet në njërin prej mbishkrimeve që Onufri ka lënë në të (19).
Ndërkohë në praktikën e Kishës Ortodokse proçesi i dorëzimit në gradën priftërore kërkonte jo vetëm periudhën e formimit përkatës por edhe një kohë të caktuar shërbimi. Po kështu, dhënia e titullit protopapë i atribohej klerikëve të martuar dhe me një stazh të gjatë veprimtarie në aspektin kishtar (20). Një fakt i tillë tregon se në vitin 1554, kur pikturoi në Valësh, Onufri, ishte prift i parë i Neokastrës (qytetit të ri), siç quhej ndryshe Elbasani, i ngritur në vitin 1466. Sipas Babingerit të cituar nga Theofan Popa, në shek XVI: ‘’Elbasani ishte bërë një qëndër e madhe me 1000 shtëpi myslymane, përreth të cilave ishin grumbulluar shumë banorë të shtresave të varfra, myslymanë dhe të krishterë, që kryenin shërbime të ndryshme në qytet. Këto shtresa banonin në shtëpitë e tyre në periferitë’’ (21). Kështu mësojmë për lidhjet e forta dhe organike që Shpati kishte me Elbasanin, i quajtur pas themelimit edhe Neokastër prej të cilit besohet se ishte Onufri. Të paktën në këtë pikë pavarësisht se për jetën e tij dihet pak, dakortësohen shumica e autorëve (22). Ndërkohë, Theofan Popa, nisur nga dëshmitë e evidentuara në kishën e ‘’Shën Kollit’’ të Shelcanit’’, do të formulonte në vitin 1957 edhe një prej hipotezave të para për shkollat e ikonografisë shqiptare (23). Duke u bazuar te afresket e Onufrit të realizuara përpara vitit 1554 dhe ato të pikturuara nga një piktor i panjohur në vitin 1625, në artikullin ‘’Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI’’, ai do të theksonte në ligjëratë të drejtë, se: ‘’Po të vërtetohet se ky piktor anonim i shek. XVII asht një tjetër elbasanas, atëherë tradita e pikturës në krahinën e Elbasanit nis me siguri prej Onufrit e (shek. VI), që e vazhdon piktori anonim i shek. XVII, nga i cili e trashëgon Kostandin Shpataraku në shek. XVIII dhe e mbyllin piktorët grabovarë të familjes Çetiri që arrijnë deri në gjysmën e I të shek. XIX’’ (24). Pikërisht këto janë disa nga vlerat që ofron kisha e ‘’Shën Kollit’’ në Shelcan, objekti që bëri të njohur Onufrin dhe vijon ta prezantojë denjësisht atë.
****
1-Kliti Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 28
2-Po aty, f. 28; Moikom Zeqo, Ja si e rizbuluam Onufrin në Maqedoni, Arkeologjia si egjiptologji, Arnissa Edition, Tiranë 2011, f. 129-137
3-Kliti Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 28
4-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 775
5-Në vitin 1938, studjuesi grek Anastasios Orlandos përmend në shkrimin e tij, ‘’Monumentet bizantine të Kosturit’’, edhe afresket murale të një piktori me emrin Onufër, të realizuara në vitin 1547, të cilin sipas mbishkrimit ai e identifikonte nga qyteti BENETION (Venediku); shiko Aναστάσιος Oρλάνδος, Tά βυλανπινά μνημεϊα τής χαστορϊας, Αρχεϊον, IV, 1938
6-Theofan Popa, Piktorët mesjetare shqiptarë, MAK, Tiranë 1961, f. 39-40
7-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 52
8-Theofan Popa, Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISH, Tiranë 1957, f. 208-217
9-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 55
10-V. Puzanova, Piktori shqiptar i shekullit të XVI-të Onufri nga Neokastra (Elbasan), Buletin për Shkencat Shoqërore, 3, Tiranë 1953. f. 2-22; Th. Popa, Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISH, Tiranë 1957, f. 208-217
11-Si u përpoq Noli të bënte të njohur Onufrin, Arkeologjia si egjiptologji, Arnissa Edition, Tiranë 2011, f. 138-142
12-Moikom Zeqo, Onufri-Epoka-Arti, Motive Arkeologjike, SH. B. ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1990, f. 175
13-Moikom Zeqo, Saga e Onufrit, Hyu ilir Redon dhe ikonografia e gabuar, Arnissa Edition, Tiranë 2011, f. 76).
14-Aleksandër Meksi, Disa kapela bizantine në vendin tonë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 83
15-Po aty, f. 83
16-Th. Popa, Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISH, Tiranë 1957, f. 208-217; Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 52-57
17- Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 52
18-Po aty, f. 55
19-Po aty, f. 55
20-Th. Popa, Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISH, Tiranë 1957, f. 208-217; Theofan Popa, Piktorët mesjetare shqiptarë, MAK, Tiranë 1961, f. 39-43
21-Franz Babinger: Die Gründung von Elbasan. In: Mitteilungen des Seminars für Orientalische Sprachen zu Berlin, 34, 1931; Th. Popa, Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI, Buletin për Shkencat Shoqërore, 1, ISH, Tiranë 1957, f. 209-210
22-V. Puzanova, Piktori shqiptar i shekullit të XVI-të Onufri nga Neokastra (Elbasan), Buletini për Shkencat Shoqërore, 3, Tiranë 1953. f. 2-22; Th. Popa, Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI, Buletin për Shkencat Shoqërore, I, ISH, Tiranë 1957, f. 209
23-Theofan Popa, Onufri piktor i madh shqiptar i shek. XVI, Buletin për Shkencat Shoqërore, 1, ISH, Tiranë 1957, f. 210
24-Po aty, f. 210