Rikthimi i emigrantit, një histori suksesi në bujqësinë Bio Rikthimi i emigrantit Arben Isaku në vendin e lindjes së tij në Jagidinë është kthyer në një histori suksesi në bujqësinë bio.
Rikthimi i emigrantit, një histori suksesi në bujqësinë Bio
Rikthimi i emigrantit Arben Isaku në vendin e lindjes së tij në Jagidinë është kthyer në një histori suksesi në bujqësinë bio. Prodhimet vendase dhe bio janë ndër kërkesat kryesore të konsumatorit elbasanas dhe fermerët po i ofrojnë tregut prodhime të stinës pa pesticide, duke përmbushur kështu dëshirat e klientëve për ushqime të shëndetshme.
Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputetja Desantila Tahiraj, vizituan nga afër serën Arbenit emigrant i kthyer rishtas për të shfrytëzuar tokën e tij dhe për të sjellë në treg prodhime bio dhe cilësore. I kthyer nga emigrimi prej 6 muajsh, ai ka investuar në tokën e tij duke krijuar një parcelë prej 2 dynym me sera, një dynym me domate dhe një dynym me trangull.
Domatet bio të stinës, të cilat prodhohen në zonë pa përdorimin e pesticideve, janë tashmë në treg me një çmim shumë të ulët. Pas përfundimit të sezonit të domateve, ky fermer planifikon të mbjellë sallatë, lakër Brukseli dhe kultura të tjera të stinës.
Gjithë mbjelljen dhe vjeljen e prodhimit Arbeni e kryen së bashku me bashkëshorten e tij. Përvoja e tij në bujqësi dhe blegtori në Greqi e ka ndihmuar shumë në këtë fushë, ndaj dhe rikthimi në fshat ishte një vendim i natyrshëm për të.
Kryetari Llatja e vlerësoi investim e Arbenit si një hap pozitiv dhe të rëndësishëm për komunitetin, duke theksuar se kthimi i emigrantit në shtëpinë e tij i ka dhënë jetë dhe gjallëri tokës së tij.