a
Copyright Mikado Themes 2016
Copyright Channelnewsgramshi.com
HomeAktualitetNdarja nga jeta e Gerti Bogdanit, reagon bashkëshortja e tij Edlira Cepani

Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, reagon bashkëshortja e tij Edlira Cepani

Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, reagon bashkëshortja e tij Edlira Cepani

Lajmi tragjik për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani në moshën 44-vjeçare për shkak të një arresti kardiak ka sjellë reagime të shumta nga politika.

Pas këtij lajmi tragjik, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbylli punimet e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Kryetarja e Kuvendit, shprehu ngushëllimet. “Dhimbje e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani. Na trondite me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirti”, u shpreh Spiropali në reagim.

Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se do të organizojë zhvillimin e homazheve në nderim të ish deputetit Gerti Bogdani, nesër, ditën e enjte, ora 10:00-12:00, në sallën e seancave plenare. Seanca plenare e paralajmëruar për nesër, është shtyrë për një moment tjetër.

Nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi ndau një mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

“Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti”, shkruan nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi.

Gjithashtu është shtyrë për një ditë tjetër edhe mbledhja e Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi.

Ndërsa kryetar i partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e mori lajmin gjatë një konference për shtyp, mbajti një minutë heshtje në nder të Gert Bogdanit.

“Lajm i zi më erdhi tani në tavolinë, lajm shokues. Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time një nga personalitetet e reja të PD-së më të shquara. Humbje e madhe për PD-në dhe shoqërinë shqiptare”, tha Berisha, i cili ndërpreu konferencën për shtyp.

Kreu i Partisë së Lirisë,  Ilir Meta në një reagim u shpreh thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani.

“Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes. Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Edlira, dy vajzave të tij, të afërmve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për këtë humbje të pazëvendësueshme. I paharruar kujtimi i tij! Të prehet në paqe”, theksoi Meta.

Ndërsa kreu i demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha u shpreh i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit Gerti Bogdani.

“Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe. Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Basha.

“Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe!”, theksoi Basha.

Edhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ndau në rrjetet sociale mesazhin e tij të ngushëllimit.

“Largimi i parakohshëm i Gert Bogdanit është një dhimbje e madhe për të gjithë. Një koleg me integritet dhe njeri me energji të mëdha, që dha kontributin e tij për vendin. Ngushëllimet më të sinqerta familjes!”, shkruan Manja.

Edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Gerti Bogdanit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “I keqardhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit – ngushëllime bashkëshortes dhe familjes. U prehtë në paqe!”.

Po ashtu, edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cilësoi ndarjen nga jeta të Gerti Bogdanit si tronditëse. Në rrjetet sociale Manastirliu shkruan: “Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gerti Bogdanit. Zoti i dhëntë forcë familjes së Gertit, për të përballuar këtë dhimbje të madhe! U prehtë në paqe!”

 

 

Share With:
Rate This Article

kelcyrjoti.1988@gmail.com

No Comments

Leave A Comment