Me ftesën për të ndjekur një material të shkurtër televiziv, i cili i dedikohet ekipit të futbollit të vajzave të Gramshit, surprizës së këtij vitit të Superligës, ju uroj një mbrëmje të qetë
Një mendje e ndritur ka thënë se rinia i ka të pastra qëllimet dhe ndjenjat e saj. Radio Ejani udhëtoi në disa qytete të vendit, për të zbuluar disa prej organizimeve rinore që ndihmojnë në aktivizmin e të rinjve. Që nga forcimi i pozitës së të rinjve në shoqeri, aktivizimi në nisma që mbrojnë trashëgiminë, mjedisin e deri te pasionet, qe kanë sjellë risi në art dhe sport.
Ky realizim tenton të prekë një pjesë të aktivitetit rinor nëpër Shqiperi.
Gramshi është një nga qytetet më të rinj të Shqipërisë. Ai numëron diçka më shumë se 63 vjet në ditët e tij. I krijuar në vitet 60 të shekullit të kaluar, ai nisi të frymojë, të jetojë e konkurojë në disa sfera të jetës. Sporti mbetet një dashuri e pa kundërshtueshme për gramshiotët. Prej vitesh funksionin ekipi i djemve në futboll, por edhe ekipi i vajzave në volejboll. Risia, është ekipi i vajzave në futboll, i cili është me i riu në superligën shqiptare.
Futbolli i femrave në Shqipëri numëron vetëm një dekadë e gjysmë jete, që nga aktivitetet e para. Vetëm 10 ekipe luajnë në kampionatin shqiptar, duke ditur veshtirësitë e mbajtjes së tij si dhe mentalitetin e njerëzve sipas të cilit futbolli është sport mashkullor. Në këtë kontekst, iniciativa e Gramshit që të ngrejë një ekip futbolli vajzash merr vlera krejtësisht të veçanta.
Fillimet janë përgjithsisht të vështira. Vajzat që e kanë patur pasion futbollin kanë nisur të shtohen nga dita në ditë duke u bashkuar edhe me të tjera, që e kanë pasur një lidhje me zonën. Natyrisht që të marrurit me sport, është një ogur i mire për një brez të shëndetshëm dhe larg veseve të moshës.
Tashmë Gramshi po konkuron në kampionatin e superligës. Ky është një vit prove për të ardhmen. Por optimizmi në qytet në radhët e të rinjve, është goxha i lartë. Geri, një i ri, që tashmë është shefi i klubit nuk e fsheh krenarinë e nxjerrjes së talenteve që kanë përfaqësuar edhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, me besimin se kjo udhë do të vazhdojë.
Kjo është një histori e re e vajzave dhe e sportit në qytetin e vogël të Gramshit.