Lamtumirë Ismail Kadare! Gjeniu i letërsisë shqipe përcillet mes duartrokitjeve për në banesën e fundit
TIRANË- Ka përfunduar ceremonia e funeralit të shkrimtarit më të madh shqiptar dhe kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadaresë. Arkëmorti me trupin e tij është nxjerrë nga ambientet e TKOB i shoqëruar me duartrokitje dhe hedhjen e karafilave të bardhë gjatë përcjelljes. Trupi i tij do të niset drejt banesës së fundit, ku do të varroset në Tufinë, vetëm nga familjarët. Kjo ishte kërkesa e bashkëshortes së tij Helenës dhe amaneti i të ndjerit Ismail Kadaresë.
Shkrimtari i mirënjohur jo vetëm në trevat shqiptare, por në mbarë botën u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ku shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij është shtrirë edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. Kadare është nominuar 15 herë për çmimin Nobel në Letërsi, ndërsa është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekujve 20 dhe 21, dhe si një zë universal kundër totalitarizmit.4