Kush qëlloi tjetër në vendin ku u vra Pjerin Xhuvani? Ekspertët rindërtojnë skenën e krimit: Nga arma e Arbër Paplekaj u qëllua 7 herë, por…
Rindërtohet skema e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan
Për herë të dytë në Elbasan është rindërtuar skema e vrasjes së mjekut dhe eksponentit të lartë të PS Pjerin Xhuvani, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2021 pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Ka qenë kërkesa e të pandehurit Arbër Paplekaj që ka çuar në rindërtimin e skenës së krimit.
Insert….
Mesohet se deri tani është përcaktuar se nga arma e Paplekaj është qëlluar 7 herë ndërkohë që në vendngjarje u gjendën më shumë gëzhoja. I dyshuari për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Arbër Paplekaj, i kërkoi gjykatës të caktohet këndi i qitjes, jo vetëm prej tij, por edhe dy persona të tjerë që nuk janë identifikuar ende pas kësaj ngjarje.
Trupa gjykuese ka urdhëruar që Arjan Hako, ekspert i Institutit të Policisë Shkencore dhe dy ekspertë të pavarur, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, të rindërtojnë skenën e krimit.
Ekspertët duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, distancën dhe pozicionet nga është qëlluar.
Këta të fundit duhet të dorëzojnë përfundimin e ekspertizës në 9 prill kur do të mbahet seanca e radhës në Gjykatën e Apelit.
Eksperimenti hetimor ka pezulluar për disa orë lëvizjen në lagjen 5 maji në Elbasan. Të shqetësuar qytetarët janë përpjekur të mësojnë diçka më shumë rreth prezencës së policisë dhe ekspertëve të kriminalistikës në zonë.
Kjo është hera e dytë që kryhet një eksperiment hetimor në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Në korrik të vitit 2022 ishte Prokuroria e Elbasanit ajo që kërkoi rindërtimin e vendit të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi në Elbasan në 21 prill vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 duke u cilësuar si ngjarja më e rëndë e ndodhur për shkaqe politike. Në atë kohë Arbër Paplekaj u vetëdorëzua në polici për vrasjen e Pjerin Xhuvanit,duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ndërkohë Gjykata e Elbasanit e dënoi Arbër Paplekajn me 22 vite burg.
Për vrasjen e Xhuvanut u dënuan me 1 vit shërbim prove dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla. Po ashtu dënim me nga 16 muaj shërbim prove u vendos edhe për 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.