Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja priti në një takim ambasadorin e Ukrainës në vendin tonë Volodymyr Shkurov.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja priti në një takim ambasadorin e Ukrainës në vendin tonë Volodymyr Shkurov. Në vazhdën e një misioni të nisur në shumë vende të botës, ambasada ukrainase i dhuroi bibliotekës së qytetit një fond librash të cilët kryesisht flasin për kulturën dhe historinë e këtij vendi.
Teksa shprehu keqardhjen e tij për situatën në të cilën ndodhet Ukraina, Z. Llatja shprehu solidaritetin e popullit mikpritës elbasanas.
“Mirëpritëm atletët, sportistët olimpikë ukrainas të cilët u gjendën në mes të luftës në Ukrainë dhe nuk kishin mundësinë atje as të stërviteshin dhe as të bënin një jetë të qetë. Ne i trajtuam si fëmijët tanë dhe na nderuan me medalje që ne nuk i kishim marrë prej vitesh e vitesh. Ata janë sot pjesë e arritjes së klubit të shumësportesh të Elbasanit dhe janë pjesë e pandashme e ekipit të Elbasanit me gjithë arritjet që ata kanë bërë.
Kur shikon fotot rreth e qark e kupton vlerën që ka bota e lirë, vlerën që ka demokracia, vlerën që ka një shoqëri e kulturuar, e emancipuar dhe ne jemi me fat që rrethohemi nga shtete fqinje mike.
Ashtu siç kemi hapur dyert në Luftën e Dytë Botërore për popullin izraelit, të njëjtën gjë kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë për popullin ukrainas i cili sot rrezikohet më shumë se kurrë nga minimi i demokracisë, nga pushtimi rus” tha Llatja.
Ambasadori vlerësoi vendimin e Bashkisë së Elbasanit për të pritur sportistët ukrainas dhe po ashtu gatishmërinë për çdo ndihmë në të ardhmen.
“Shqipëria na ka ndihmuar dhe vazhdon të na ndihmojë, ka ndihmuar duke pritur qytetarët tanë dhe vazhdon t’i mirëpresë . Ju falenderoj për pritjen e sportistëve tanë, të cilët jo vetëm që kanë qëndruar në Elbasan, por që kanë vazhduar trajnimin e tyre. Ju falenderoj për mundësinë e inagurimit të këndit të librit të Ukrainës, ku për shkak të luftës më shumë se 7. 5 milion ukrainas ishin të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Në Shqipëri nuk ka shumë qytetarë ukrainas që jetojnë, por është mundësia nëpërmjet këtij këndi të librave t’i prekin me anë të librit shpirtin dhe kulturën ukrainase. Ne do të mundohemi të shtojmë librat në këtë kënd libri ukrainas që edhe shqiptarët të kenë mundësi të lexojnë edhe në anglisht, por për ne është gjithashtu për ne është mundësia të tregojmë më shumë historinë dhe kulturën ukrainase nëpërmjet librit.”
Për të pranishmit u shfaqën edhe pamje të luftës në Ukrainë dhe masakrës ndaj të pafajshmëve duke përçuar mesazhin e rëndësisë së paqes dhe demokracisë në botë.