Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Drejtuesi Politik i PS për qarkun Damian Gjiknuri dhe deputetja Desantila Tahiraj inspektuan punimet për rehabilitimin e qendrës së fshatit Gjinar.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Drejtuesi Politik i PS për qarkun Damian Gjiknuri dhe deputetja Desantila Tahiraj inspektuan punimet për rehabilitimin e qendrës së fshatit Gjinar. Në lotin e parë të punimeve po sistemohet fusha sportive e cila do të përfshijë një fushë futbolli, basketbolli, volejbolli dhe dhomat e zhveshjes.
Ka përfunduar edhe rruga që lidh qendrën e Gjinarit me fushën sportive, një rrugë e ndërtuar me gurë natyralë të zonës dhe e përshtatur me natyrën fantastike të Gjinarit.
Kryetari i Bashkisë vuri në dukje se investimet do të vijojnë me intensitet në këtë zonë e cila përbën potencialin kryesor turistik të Elbasanit.
“Ne kemi filluar një projekt në Gjinar. Ishte një kërkesë e kahershme e banorëve, por edhe e nevojave që ne kemi për zhvillimin e turizmit.
Në sheshin kryesor të fshatit shumë shpejt nis loti i dytë për rikontruksionin total. Ndërkohë ka përfunduar rruga që çon nga qendra në fushën sportive. Në këtë fushë zhvillohen edhe shumë aktivitete kulturore që bën zona.
Rruga është bërë me gurin natyral të zonës për të ruajtur edhe identitetin edhe për të qenë miqësor me mjedisin.
Kjo fushë do të përdoret edhe nga ekipet tona sportive për stërvitje gjatë periudhës së verës. Do të ketë fusha basketbolli, volejbolli dhe ambientet e zhveshjes.
Për sezonin e ardhshëm veror ky investim do të ketë përfunduar. Gjinari është një nga potencialet tona turistike” tha Llatja.
Gjiknuri theksoi se puna sapo ka filluar, por ndërkohë do të vijojë për gjithë rikonstruksionin e qendrës së fshatit.
Drejtuesi Politik i PS për Elbasanin shtoi më tej se problemet më të mëdha që kanë ngadalësuar investimet janë kostot e larta të shpronësimeve, problematika të trashëguara kur edhe qendrave të fshatrave dhe rrugëve u ka dalë pronari.