Gramshi 65 vite qytet! Nga prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi 18 shkurt, qyteti i Gramshit mbush plot 65 vjet.
Gramshi 65 vite qytet!
Nga prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi
18 shkurt, qyteti i Gramshit mbush plot 65 vjet. Sigurisht që vetë Gramshi është shumë më i vjetër, por me një vendim të Kuvendit Popullor, më 18 shkurt 1960, Gramshi u shndërrua nga qendër banimi në një qytet me të gjitha karakteristikat administrative, ekonomike, kulturore dhe sociale. Zhvillimi i këtij qyteti është rezultat i punës së palodhur dhe këmbëngulëse të punonjësve, kuadrove që kanë punuar në rrethin tonë gjatë këtyre 65 viteve e mbi të gjitha rezultat i punës së vetë qytetarëve të Gramshit. Janë me qindra dhe me mijë njerëz që meritojnë mirënjohje dhe respekt të veçantë për punën e tyre të palodhur.
Pas një trajtimi historik të trevës së Gramshit, do të japim disa të dhëna për themelimin e qytetit dhe punën e bërë për ngritjen e zhvillimin e tij, deri sa qyteti mori formën që e njohim sot.
Burimet historike dëshmojnë se treva e Gramshit është banuar që në kohë të hershme. E vendosur në të dyja anët e lumit Devoll, në rrjedhën e mesme të tij, kjo hapësirë gjeografike ka qenë, veç të tjerash, edhe rrugëkalim i rëndësishëm për lidhjen e zonave perëndimore me ato lindore. Për shkak të pozitës gjeografike lugina e Devollit, ashtu si edhe luginat e lumenjve të tjerë në Shqipëri, ka shërbyer si një arterie, nëpër të cilën kalonin udhëtarët, karvanët, ushtritë, mallrat dhe ku zhvillohej tregtia me botën ilire.
Materiali arkeologjik i gjetur përfaqëson elemente të kulturës materiale e shpirtërore të trevës së Gramshit, që janë të përbashkëta për të gjitha fiset ilire. Treva e Gramshit i ngjan një muzeu arkeologjik që përmban të dhëna për kulturën e hershme para-ilire, ilire dhe arbërore. Edhe pse e pastudiuar, mendohet se shpella e Kabashit është një vendbanim shpellor, i cili e çon kufirin kronologjik të trevës në periudha më të hershme arkeologjike, ato prehistorike. Disa objekte të gjetura rastësisht, si sëpata guri (Bërsnik, Rmath, Drizë, Jançë), çekiç guri (Darzezë), sqepar guri me majë shpuese (Tunjë), enë balte (Bulçar) dëshmojnë për ekzistencën e një qytetërimi të lashtë në territorin e Gramshit, të paktën që nga mijëvjeçari II p.e.s. Nga shek. IV p.e.s. hapësira gjeografike e Gramshit është banuar nga fisi ilir i dasaretëve, i cili ishte një fis i madh i Ilirisë jugore që përfshinte pjesën perëndimore të liqenit të Ohrit, fushën e Korçës, krahinën e Kolonjës, Gorën, Oparin, Mokrën, Devollin dhe Beratin. Në vitin 168 p.e.s. Dasaretia u përfshi në provincën Romake të Maqedonisë si një koinon (bashkësi) më vete, me qendër qytetin Lyhnid (Ohri), ndërsa në shek. II të erës sonë, në kohën e Dioklecianit, Dasaretia u përfshi në provincën e Epirit të Ri.
Për lashtësinë e vendbanimeve të trevës së Gramshit flet edhe materiali arkeologjik i zbuluar në tumën (kodërvarrin) e fshatit Cërujë. Për arkeologen Zhaneta Andrea “tuma e Cërujës ka të gjarë që të ketë filluar të ngrihet për herë të parë në periudhën e bronxit të hershëm, ndërsa faza e dytë lidhet me fundin e epokës së bronxit e fillimin e epokës së hekurit” (Iliria 1-2, 1997, 85-94). Edhe pse me tetë varre gjithsej, kjo tumë ofron një material arkeologjik me mjaft vlerë, sepse hedh dritë mbi kulturën e lashtë të banorëve që e popullonin atë zonë. Ky material përbëhet nga maja shigjetash bronxi në formë gjetheje, broka qeramike me vegjë të zbukuruara me kanelyra, thika bronxi etj. Mënyra e ndërtimit të kësaj varreze dhe kultura materiale e Cërujës është në unitet me kulturën e hershme ilire të të njëjtit pellg gjeografik, konkretisht me varrezat tumulare të fushës së Pazhokut (Elbasan), të Patosit (Fier), por edhe me kulturën ilire të Maliqit e Barçit në Korçë. Në varret e tumës së Cërujës janë pasqyruar edhe lidhjet që treva e Gramshit mbante me krahina të Egjeut nëpërmjet lumit Devoll (Zh. Andrea, Iliria 1-2, 1997, 85-94). Një tumë tjetër e kësaj periudhe, që ka mbetur ende e pazbuluar është edhe tuma në fshatin Çekin.
Dëshmitë më të hershme të shkruara për ekzistencën e vendbanimeve (qyteteve) ilire në trevën e Gramshit i përkasin mesit të shekullit IV p.e.s. Kësaj periudhe i takon edhe kalaja e Irmajt që ngrihet në majën e një kodre dominuese të Sulovës, në lartësinë 979 metër mbi nivelin e detit. Fragmentet e tjegullave dhe pitosave, qeramika me vernik të zi të shkëlqyeshëm si dhe disa objekte metalike e monedha e vendosin ndërtimin e kësaj kalaje pikërisht në shek. IV dhe III p.e.s. Kësaj periudhe i përkasin edhe disa gjetje të tjera si figurina e një atleti dhe koka e një djaloshi ilir, të dyja prej bronxi.
Ekzistencën dhe zhvillimin pa ndërprerje të jetës qytetare ilire në zonën e Gramshit e dëshmon numri i madh i vendbanimeve me kala e fortifikime, Pothuaj në të gjitha qendrat e banuara, dikur qyteza, gjenden rrënoja kalash, të ndërtuara a rindërtuara në antikitet a mesjetë. Në territorin e Gramshit janë shpallur rreth 15 objekte si monumente kulture të kategorisë së parë, ndër të cilat gjejmë kala e fortifikime (monumente arkeologjike), ura, objekte sociale, objekte kulti etj. Ndër to po përmendim kalatë e Irmajt, Tërvolit, Përrenjasit, Galigatit, Grabovës së Poshtme, Gradishtës së Bërsnikut, fortifikimin mesjetar në Përrenjas, tumën ilire të Cërujës, ujësjellësin në përroin e Renxës (Sult-Grekan), Çezmën e Skënderbegasit, rrënojat e urës antike me dy relieve të gdhendura në fshatin Grabovë e Siperme, dy urat mesjetare dhe kishën e Shën Kollit po në Grabovën e Siperme.
Të njëjtën vlerë për studiuesit paraqitin edhe mjaft objekte të tjera, të ndërtuara në periudha të ndryshme, si kalatë e Grazhdanit, Gribës, Kabashit, Gjerës, Broshtanit, Vidhanit, Lubinjës, Ostenthit, Qelës (Lubinjë), Bahollit (Ostenth) çezma e Dufshanit, dërstilat e Kërpicës, furrat e pjekjes së qeramikës në Ostenth, kalldrëmet mesjetare në Gramsh-Fshat, Sarasel, Lubinjë etj.
Kalatë shërbenin jo vetëm si strehë mbrojtëse për popullsinë vendëse dhe si pika vrojtimi mbi rrugëkalimet kryesore të karvaneve dhe ushtrive, por edhe si pika komunikimi me njëra-tjetrën, nga ku, në rast rreziku, shkëmbeheshin sinjale. Kështu, p.sh., nga Klaja e Galigatit mund të kundroje edhe kalatë e Antipatreas, Gracenit, Valshit e Mengëlit (N. Ceka, “Ilirët’’, faqe 245).
Këto objekte që u përkasin periudhave të ndryshme të ndërtimit, ofrojnë një varietet stilesh e kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romake, bizantine, arbërore dhe otomane. Ato dëshmojnë për vazhdimësinë e jetës dhe kulturës në trevën e Gramshit. Kalatë, gjetjet arkeologjike, objektet e ndryshme tregojnë për lashtësinë e popullimit të kësaj treve, për artin e të ndërtuarit dhe në përgjithësi për qëndresën e shqiptarëve në shekuj kundër pushtuesve të shumtë.
Emërtimi Gramsh, si qendër banimi dhe administrative, ka mbetur i pasqaruar. Në kohën e turqve osmanë herë-herë për emërtimin Gramsh gjejmë të përdorur edhe formën Gramec, apo në tingëllimin turk Grameç, çka do të thotë se ky emërtim ka ekzistuar para pushtimit osman. Format me prapashtesën –ec (Gramec, Gradec, Lisec, Bulgarec, Pogradec etj.) janë karakteristike për gjuhët sllave dhe jo për osmanishten, shpjegon prof. Avni Xhelili. Ky fakt gjuhësor të shtyn të mendosh se emri Gramsh duhet të jetë përdorur 3-4 shekuj para osmanëve, të paktën qysh nga shek. X.
Burimet më të hershme të shkruara për Gramshin janë ato të shekullit XV. Në organizimin territorial mbas pushtimit osman Gramshi bënte pjesë në Vilajetin e Cartallozit. Me rindertimin e kalasë se tij në vitin 1466 dhe krijimin e Sanxhakut të Elbasanit, Gramshi ishte pjese e tij, gjë që e tregon edhe Arqipeshkvi i Tivarit në vitin 1591 kur flet për Elbasanin. Në vitet 1431-1432 u be regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe tokave edhe në zonën e Gramshit, mbi bazën e të cilit u krijuan timaret dhe u vendos kontrolli i Portës së Larte.
Në reformat administrative të kryera nga Perandoria Osmane në vitet 1884-1888, siç shkruan edhe Sami Frashëri në enciklopedinë “Viset Shqipetare”, Elbasani është qendër e Sanxhakut që përbëhet nga vete ai dhe kazatë e Gramshit e Peqinit pjesë e Vilajetit të Manastirit. Edhe Qeveria e Vlorës e emërtoi nënprefekturë në përbërjen e së cilës janë edhe dy krahinat Shenepremtja dhe Mollasi, me qendër administrative në fshatin Gramsh.
Sa më sipër, mund të themi me plot gojë që fshati Gramsh ka qene kryeqendër e zonës, të paktën prej mesjetës. Ai kishte pozicion të përshtatshëm për të qenë qendër, pasi ndodhej në qendër të krahinës, në kryqëzimin e rrugëve dhe është i vetmi vendkalim (shteg) ku kalohet nga ultësira perëndimore për në fshatrat e Verçës, Sulovës, Tomorricës, në zonën e Korçës e me tej.
Historikisht, pas vendosjes së organizimit administrativ osman, ndërtimit të shtetit shqiptar në vitin 1912 e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Gramshi ka funksionuar si kaza ose nënprefekturë. Gramshi ka qenë një qendër e vogël banimi dhe administrative, ku numri i ndërtesave ishte i kufizuar. Në vitin 1945, për shembull, në këtë qendër ekzistonin katër ndërtesa banimi dy-katëshe dhe disa shtëpi një-katëshe, të cilat shërbenin si banim për banorët, por edhe për punonjësit e administratës së kohës. Po ashtu, në këtë qendër ishin vendosën edhe institucionet shtetërore, si nënprefektura, policia, dy kafene, një dyqan vajguri dhe objekte të tjera që i jepnin Gramshit fizionominë e një qendre administrative. Duhet theksuar se në këtë periudhë edhe qytetet e tjera të këtij niveli nuk kishin ndonjë zhvillim më të ndryshëm se Gramshi. Pra si aspektin urban, por edhe historik, Gramshi ka kaluar në të njëjtat faza zhvillimi si qytetet e tjera të Shqipërisë.
Hovin më të madh të zhvillimit Gramshi e pësoi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai filloi të ndryshojë dhe të rritet gradualisht. Menjëherë pas krijimit të organeve të pushtetit vendor, u ndërmorën masa për zhvillimin e zonave dhe fshatrave, por veçanërisht të qendrës së Gramshit. Ky zhvillim u drejtua në dy drejtime: fillimisht, u krijua një rrugë për zhvillimin e kësaj qendre administrative, dhe më pas, u hodhën themelet për zhvillimin e një qyteti bashkëkohor. Në vitet 1944-1945, u forcua lidhja me rrjetin telefonik dhe u hapën shkolla fillore në qendër, duke kontribuuar në transformimin e Gramshit. Sipas një raporti të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të Nënprefekturës së Gramshit, i cili daton më 30 maj 1945, në gjithë rrethin e Gramshit ishin ngritur e funksiononin 12 shkolla me 12 arsimtarë dhe 335 nxënës, të cilët ndiqnin kurset kundër analfabetizmit. Gjatë vitit 1945-1946 u hapën edhe shkolla të tjera.
Po ashtu, në vitin 1945, pranë Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës u ngrit sektori i punëve botore, i cili filloi punën për ndërtimin e rrugëve, urave e shtëpive, si dhe riparimin e shtëpive dhe godinave të administratës shtetërore të shkatërruar nga lufta. Kësisoj, për një periudhë gjashtë mujore u ndërtua rruga Gramsh-Gostimë, e cila tashmë ishte e kalueshme për automjetet. Gjithashtu u morën masa për prodhimin e lëndës së parë të nevojshme për rindërtimin e dëmeve të luftës por edhe të zhvillimit të qytetit.
Në fund të vitit 1947, me dekretin ligjor nr. 546, Gramshi pësoi një organizim të ri. Ai u strukturua si rreth më vete, pra u shkëput nga Elbasani dhe u ngrit Këshilli Popullor i Gramshit me qendër në Gramsh. Me këtë ligj u krijuan edhe lokalitetet; Gramshi u nda në 14 lokalitete dhe u bënë edhe ndryshime administrative për fshatrat. Kështu për shembull fshatrat Kërpicë, Vidhan, Ermenj, Kotkë, Lemnushe, Siman, Bizhdan, Kaçivel, Galigat, Kotorr, Gjergjovinë, Drizë, Cingar, Darezëze, Dushk, Kutërqarë dhe Banjë u bashkuan me Gramshin. Fshatrat Prrenjas, Sarasel, Belesovë dhe Mendrak u shkëputën nga Gramshi dhe kaluan nën administrimin e Beratit. Si pasojë e këtyre ndryshimeve administrative, rrethi i Gramshit u rrit në 70 fshatra. Nga 1 janar 1948, Gramshi kishte 70 fshatra me 14 lokalitete dhe prej vitit 1970, si pasojë edhe e krijimit të fshatrave të reja, që vinin kryesisht nga zmadhimi i popullsisë dhe lagjeve të fshatrave ekzistues, Gramshi ka 95 fshatra.
Ky ndryshim ligjor përcaktoi qartë kufijtë e rrethit të Gramshit me rrethet fqinje, kufij që me ndryshime të vogla janë edhe sot. Përcaktimi i Gramshit si një rreth më vete ishte thelbësor, sepse ndonëse nuk ishte themeluar qyteti, u krijua varësia e drejtpërdrejtë nga pushteti qendror. Gramshi filloi të zgjerohej si qendër banimi, dhe vetëm në komitetin ekzekutiv të krijuar nga ky ligj, me datë 1 janar 1948, punonin 43 punonjës, ndërsa në vitin 1950 numri i tyre u rrit në 67.
Në vitin 1946 u ndërtuan dy dyqane tregtare dhe në sektorin e tregtisë kishte shtatë të punësuar. Në vitin 1948 u ndërtua biblioteka e qytetit dhe filloi zhvillimi i kulturës dhe i institucioneve kulturore. Në vitin 1946 u çel infermieria – “spitali” i rrethit – në një shtëpi private në fshatin Çekin, me një infermiere dhe një mami. Prej vitit 1948, spitali rural u ndërtua me një personel prej 10 vetash, duke përfshirë një mjek, katër infermiere, një mami, një sanitar, dy punonjës dhe një sekretar-llogaritar, në një ndërtesë që sot shërben si zyra e punës. Në shtator të vitit 1949, në Gramsh u hap shkolla 7-vjeçare me 23 nxënës dhe një vit më pas u hap edhe një shkollë tjetër. Po këtë vit u ndërtua farmacia e parë e qytetit dhe hoteli i vjetër i qytetit.
Gramshi vazhdoi të zmadhohej si qendër banimi. Në vitin 1950, qendra administrative e Gramshit arriti në 721 banorë, duke përfshirë edhe fshat Gramshin me lagjet Koçaj, Llapushaj, Çekrezaj dhe Hortaj.
Si rreth me vete Gramshi funksionoi nga 1 janar 1948 deri në gjysmën e vitit 1953, pasi me dekretin 1716 me datë 20 gusht 1953 u krijuan qarqet. Gramshi u shkëput nga varësia qendrore dhe u vendos nën varësinë e qarkut të Elbasanit. Kjo periudhë vazhdoi për gati katër vjet e gjysmë, pasi me dekretin nr. 2593, me datë 6 shkurt 1958, rrethi i Gramshit doli përsëri rreth me vete, i pavarur dhe në varësi të organeve qendrore. Edhe pse varësia nga qarku ka pasur efektet e saj, në vitet 1950-1960 Gramshi pati një zhvillim relativisht të shpejtë. Gjatë këtyre 10 viteve u krijuan disa ndërmarrje.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, por edhe shumë të tjerave, Gamshi u deklarua qytet më 18 shkurt 1960, me vendim të Kuvendit Popullor që e kthente atë nga një qendër banimi në një qytet me të gjitha karakteristikat administrative, ekonomike, kulturore dhe sociale.
Sigurisht që për të ardhur deri në shpalljen e Gramshit qytet ishte punuar shumë. Kësisoj, në vitin 1954, u ndërtua konvikti i shkollës 7-vjeçare me 100 vende për arsimimin e fëmijëve nga fshatrat ku nuk kishte shkolla 7-vjeçare. Në vitet 1953–1954 u ndërtua edhe kinemaja e qytetit.
Rritja e popullsisë u shoqërua me ndërtime të reja, bëri të domosdoshme hartimin e një plani të përgjithshëm rregullues urbanistik, i cili u hartua dhe u miratua në vitin 1965 dhe u bë baza e zhvillimit të qytetit për vitet e ardhshme.
Të gjitha ndarjet dhe sektorët e krijuar gjatë këtyre 10 viteve u plotësuan me punonjës të rinj, kryesisht të ardhur nga fshatrat, të cilët krijuan familjet e tyre dhe kontribuuan në zhvillimin e qytetit, sidomos përmes ndikimit të uzinës mekanike në Çek. Një fakt interesant është se, në vitin 1975, Gramshi kishte dy herë më shumë lidhje martesash se në vitin 1999, edhe pse popullsia në vitin 1999 ishte tri herë më e madhe se në vitin 1975.
Në vitin 1970, qyteti kishte një ekonomi shumë-degëse. Në vitin 1973 u krijua Baza e Furnizimit të Bujqësisë, në vitin 1974 u krijua ndarja e Grumbullimit-Përpunimit, në vitin 1983 u krijua ndarja e Shfrytëzimit-Përpunimit të Drurit, ndërsa në vitin 1984 u krijua Parku i Mallrave, dhe deri në fund të këtyre 10 viteve, u krijuan edhe ndërmarrjet e Pilë-Baterive, e Kullotave dhe e Mirëmbajtjes Rrugë-Ura. Përveç këtyre ndarjeve, në dekadat 1980–1990 u ndërtuan edhe disa objekte cilësore për kohën, të cilat përmirësonin cilësinë e shërbimeve të institucioneve përkatëse dhe urbanistikën e qytetit, si spitali-poliklinika e re, shkolla e mesme “Shefqet Guzi”, godinat e ish-gjykatës dhe ish-degës ushtarake, ateliet e shërbimeve komunale, kompleksi i shitjes së frutave-perimeve, ish-Parku Automobilistik, ish-magazina e shitjes së pjesëve të këmbimit, etj.
Këto zhvillime në sektorët ekonomikë dhe të shërbimeve u përputhën edhe me sektorët e arsimit, kulturës, sportit dhe shëndetësisë. Pas hapjes së shkollës së mesme, filloi funksionimi i shkollës së mbrëmjes, dhe në vitin 1966 u hap po ashtu shkolla e ulët profesionale, nën Drejtorinë e Uzinës Mekanike, e cila në vitin 1981 u bashkua me shkollën e mesme të përgjithshme, duke u emërtuar shkolla e mesme shumë-degëshe. Në vitin 1970, u ngrit konvikti i shkollës së mesme me 150 vende. Në vitet e mëvonshme u ngritën edhe dy shkolla të tjera 8-apo 9-vjeçare, dhe sot, qyteti ka tre shkolla 9-vjeçare. Rreth viteve 1965–1967 u ngrit shtëpia e kulturës, e cila sot shërben si muzeum, dhe në vitin 1978 u ngrit pallati i ri i kulturës. Në mes të viteve 1960 u ngrit klubi i futbollit “10 Korriku”, i cili në vitin 1986 u shndërrua në Sport Klub Gramshi. Në sektorin e shëndetësisë, pas hapjes së spitalit që njihet sot si spitali i vjetër, filloi zgjerimi i reparteve të ndryshme dhe të domosdoshme për qytetin; u ngrit një ndërtesë tjetër pranë spitalit të vjetër, në vitin 1968 u hap salla e operacioneve dhe në fund, në vitin 1984, u inagurua spital-poliklinika e re e qytetit me 120 shtretër.
Në vitin 1991, rrethi dhe qyteti u futën në rendin e ri ekonomiko-shoqëror, me pluralizmin politik dhe ekonominë e tregut. Banorët filluan të përshtaten me rregullat e reja, ndërsa ndryshimet në sistemin politik e shoqëror e futën zhvillimin në një fazë tjetër.
Popullsia e qytetit u dyfishua brenda një 5-vjeçari – nga 8.075 banorë në vitin 1990 në 16.255 banor në vitin 1996 – duke reflektuar zhvillimet në të gjitha sektorët, veçanërisht në banesa dhe objekte të biznesit. Gramshi, sot, ka mbi 870 ndërtesa (nga të cilat 616 janë banesa dhe mbi 254 janë objekte të tjera). Edhe pse tregu i lirë ende nuk ka arritur të hapë të mundësi të reja punësimi e prodhimi, Gramshi ka burime të shumta në fusha të ndryshme, dhe potenciali për hapjen e vendeve të reja të punës mbetet i madh, sidomos në sektorët e pyjeve, bimëve medicinale, duhanit, përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, turizmit, etj.
Shënim:
Të dhënat për zhvillimin e qytetit prej vitit 1945 janë nxjerrë nga arkiva e ish-Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit, të konsultuar nga z. Sabri Fejzo.