a
Copyright Mikado Themes 2016
Copyright Channelnewsgramshi.com
HomeKryesoreGramsh / Je pështirosur duke ndenjurur para televizorit, duke u marrë me celularin, duke dëgjuar gjithë kohës vetëm dallavere, hajdutllëqe, ahengje, këngë e valle? Lëviz. Shko diku. Për shembull në Lenie.

Gramsh / Je pështirosur duke ndenjurur para televizorit, duke u marrë me celularin, duke dëgjuar gjithë kohës vetëm dallavere, hajdutllëqe, ahengje, këngë e valle? Lëviz. Shko diku. Për shembull në Lenie.

Gramsh / Je pështirosur duke ndenjurur para televizorit, duke u marrë me celularin, duke dëgjuar gjithë kohës vetëm dallavere, hajdutllëqe, ahengje, këngë e valle? Lëviz. Shko diku. Për shembull në Lenie.

Edison Ypi

Je pështirosur duke ndenjurur para televizorit, duke u marrë me celularin, duke dëgjuar gjithë kohës vetëm dallavere, hajdutllëqe, ahengje, këngë e valle? Lëviz. Shko diku. Për shembull në Lenie. Nisu drejt Elbasanit. Te “Çeliku i kurvit” kthehu drejt Paprit. Aty afër do shohësh një burg. Është ndoshta i vetmi burg në botë aq pranë me rrugën sa të burgosurve mund t’u thërrasësh dhe ata të dëgjojnë, dhe aq afër me faqen e malit sa brenda burgut mund të lëshosh një plumb. Mos vrit mendjen si e pse ai burg aty. Nuk je nisur të zbulosh korrupsion. Po shkon në Lenie.

Në Papër hidh lumin e therja drejt Cërrikut. Do mahnitesh duke parë rrëzë kodrave gjithë ato vila. Do tmerrohesh kur të shohësh mender uzinën sovjetike të përpunimit të naftës ende të paprivatizuar. Mos e kthe kokën djathtas. Aty është një magjistare që të guros me bukuritë e saja, Dumreja. Mos u ndal as në Cërrikun e internimeve. Vazhdo drejt Gramshit. Gostima si Dumrea. Po u more me të mbetesh aty përgjithmonë i mahnitur nga bukuritë e saja.

Ke hyrë në luginën e Devollit. Të tjera ndjesira, të tjera aroma, të tjera mornica. Shpati në të majtë. Sulova në të djathtë. Njëri më marramendës se tjetra. Ndërkohë që nget makinën ha ndonjë kokërr rrush a pi ndonjë gllënkë dhallë për të mos u çmendur nga tërë ato magjepsje.

Në Gramsh mos pyet ku është Lenia. Po i pyete, përgjigjen aq ngatërrueshëm sa në vend të shkosh në Lenie mund të përfundosh në Mokër ose në Tomorricë. Perceptimi kaotik gramshak për kohë-hapësirën ka bukurinë e vet, ta shton kuriozitetin, shijen e aventurës, por të lë pa vajtur në Lenie.

Diku, një barkderr ka ndalur Tojotën dhe po tymos një cigare. Është inxhinier norvegjez i tuneleve në Hidrocentralin e Moglicës. Po ia pate ngenë bëj pak muhabet të tregojë për fjordet e Norvegjisë dhe kanionin e Moglicës.

Në Kodovjat mos u kthe menjëherë në të majtë se përfundon në Kukur ose në Kishtë, por pak më tutje. Prej aty, harroje asfaltin. Ngjitu përpjetë. Në një oborr do shohësh dy traktorë të kuq të ndryshkur nga ata që më tepër bënin propagandë se çanin ugare. Në një kafene llafosu me ca vendalinj. Kanë zbritur në Durrës. Kanë ardhur aty për t’u çmallur me vendlindjen.

Zbrit nga makina provo një vesh rrush bio me kokrra të vogla të shijshme. Kur ta këpusësh veshin e rrushit nuk do të kafshojë qeni. Tashmë në Shqipëri frutat anës rrugëve janë të udhëtarëve. Mbi një krua me tre sylinarë rri mendueshëm një 18 vjeçar i rëndë, i ngathët. Ka qënë në Korçë dhe Tiranë por në asnjërin nga katundet përrreth.

Rruga nuk është fort e mirë por ka taban të fortë. Rrethepërqark katunde të Mokrës, Gorës, Tomorricës, me emra që tingëllojnë bukur, për shembull “Kishtë”. Katundet atje tej duken si zgjoje bletësh strukur nëpër zgavra shkëmbore mbi faqe malesh. Pllaja të jeshilta, hone të thella, shkëmbinj të thepisur, humnera të errëta. Më lart, peisazh alpin me pisha. Pas nja një ore nga Kodovjati, fanepset Lenia si nëpër ëndërra.

Lenia është një tas biblik rrethuar me ujëra ku amvisë-Perëndia ka hedhur të mirat e dynjasë për të bërë një supë mbretërore. Nga një çoban do mësosh se emri i këtij fshati është Shënepremte. Lenie e quajti kurvi. Mirëseardhjen në Shënepremte ta uron me përulësi aristokratike Felix Mendelssohn në D minor me një Piano Trio; shkëmb, urë, përrua.

Në jug të Lenies vigjëlojnë dy shkëmbinj gjigandë si dy roje që kanë kryqëzuar heshtat në hyrje të një kështjelle. Në Lenie nuk ka shtëpi të reja. Shtëpitë e reja leniasit i ngrenë në Tiranë, Durrës, Fier. Lenia ka pasur mbi 300 shtëpi. Kanë mbetur nja 80. Në mes të “fshatit” lapidar për dëshmorët e “trevës”. “Shkolla e mesme e bashkuar” e Lenies është themeluar më 3 Dhjetor 1917. Pra është nga të parat shkolla shqipe.

Kafexhiu, bujku, kalimtari, dikush që ka ngarkuar mushkën me shkarpa, një tjetër që nget një traktor, disa fëmijë që po luajnë, të gjithë do të thonë se Lenia është e famshme për luftërat që aty janë bërë. Austriakë, francezë, italianë, grekë, partizanë, janë kacafytur në Lenie. Mos shpenzo kohë për të pyetur pse janë vrarë e prerë këtu mes maleve dhe jo dikund tjetër. As historianët nuk e dinë.

Në një të përpjetë do shohësh dikend që po sistemon me rruspë rrugën. Prezantohu me viganin e punës. Është Ramadan Bici. Bëj pak muhabet me Ramadanin. Llërëpërveshuri do të ftojë në shtëpinë e tij që ndodhet pak më tutje në të majtë të rrugës. Duke iu afruar shtëpisë, Ramadani do të thotë me shaka; “Ndjesë që po të drejtoj nga e majta”. Kur të hyni brenda mos ia prish qefin Ramadanit. Pranoje qerasjen me mjaltë, arra, lajthi. Meraku më i madh i Ramadan Bicit është prapambetja e industrisë farmaceutike botërore për të shpikur ilaçin e pavdekësisë që i duhet për idhullin e tij, Doktorin.

Me anë të Internetit Ramadani ka blerë një truall në Hënë. Ekspansioni i papërmbajtur kapitalistik jashtëtokësor i Ramadanit do të lerë pa mend. Mos alivanosesh, ore. Mbahu. Në Lenie nuk erdhe për t’ia futur gjumit por për emocione ekstreme si këto të Ramadanit.

Duke u ndarë me Sulltanin e Lenies, Ramadanin e madhërishëm, mbi murin e shtëpisë ku sapo u qerase me të mirat e dynjasë, do shohësh një pllakë përkujtimore, “Bazë e Luftës Nacional Çlirimtare”. Do tmerrohesh. Do të vijnë qerasjet nga stomaku te fyti. Mos u bëj merak. Ramadani që do ta vërejë trazimin tënd, do ndërhyjë me takt, do të qartësojë se kur ai ende nuk kishte lindur, në shtëpinë e tij ka ndenjur një natë kurvi. Ajo pllakë guri me ato pak fjalë për Ramadanin ka pasur vlerë të pallogaritëshme. Pa atë pllakë Ramadanit nuk do ti jepnin të drejtë studimi. Pa ato fjalë të gdhendura në gur Lenia do ishte më e pastër, por Gramshit do ti mungonte një kapitalist. Mpleksja e kurvizmit me kapitalizmin do ti rrënqethë vertebrat e shtyllës kurrizore më fort se kur bëre seks për herë të parë.

Mbushu me ajër të pastër. Përshëndoshu me Ramadanin. Kqyre për të fundit herë Lenien e hatashme. Fshi ndonjë pikë loti nëse të ka rrjedhur. Nisu për kthim. Jo andej nga erdhe. Andej nga erdhi kthehet vetëm krokodili.

Therja përpjetë drejt një qafe në majë të malit. Prej atje duken lugina e Devollit, Moglica, Voskopoja dhe plot fshatra të tjera. Rruga teposhtë për në Moglicë është një hukubet me kthesa të pjerrëta. Tatëpjetë ndalu ha ca fiq nga dega. Më tutje fotografo disa mullarë që duken si ushtarë të Haxhi Qamilit. Pije një kafe në Moglicë.

Për tu kthyer në Tiranë zgjidh e merr: më të djathtë nëpër kanionin e Devollit pastaj Kodovjat, Gramsh, Cërrik, Tiranë, nga erdhe. Ose më të majtë, diga më e madhe në botë e këtij lloji, Lozhan, Maliq, Pogradec, Tiranë.

Nëse do ndjehesh disi i lodhur nga gjithë ato emocione që provove, lere digën për herë tjetër dhe therja nga kanioni. Të mos e grahësh kerrin shpejt dhe të përfundosh cop e çikë në shkëmbinjtë e rrjedhës plot shkumë të Devollit, të vijnë në ndihmë tabelat këshilluese trigjuhëshe anglisht, shqip turqisht: Slowly, Ngadalë, Yavash.

Një roje, në qef nga rasti që iu dha për ta hequr pak vetminë e vetes duke u llafosur me ty, të tregon për tunelin 22 kilometra që sjell ujin nga diga e Moglicës dhe për turbinat që janë brenda në shkëmb.

Te lapidari në Marshan do ta nxjerri dorën për ta marrë deri në Gramsh një bablok me bastun. Merre babaxhanin gramshak. Rrëfimi i tij do të lërë pa fjalë: Jam nga Marshani. Quhem Nefail Hasan Dyrmishi. Jam 82 vjeç. Kam qënë mësues. Çuni im ka ngritur në Gramsh shtëpi me 14 dhoma, 7 dhoma çuni, 7 dhoma unë. Dy dëshmorët e lapidarit që i pe duke ikur në Lenie, janë babai im dhe xhaxhai im. Ta tregoj jetën time duhen dhjetë dimra rrotull vatrës me gështenja të pjekura përpara. U bëra mësues kur mbarova klasën e shtatë. Të tjerë u bënë mësues edhe me katër klasë. Mora grua me xhaxha kulak, domethënë të prekur politikisht. Më panë me sy të keq gjithë jetën. Kur erdhi demokracia, unë me baba dëshmor, gruaja me xhaxha kulak, nuk mund të futesha direkt në Partinë Demokratike. Zgjodha rrugë të mesme. U futa në partinë e Teodor Laços. Jam Qytetar Nderi i Gramshit. Aty biseda do ndërpritet. Keni arritur në Gramsh. Nefaili do zbresë. Merrja Nefailit numrin e celularit dhe jepi fjalën se do shkosh ta takosh një herë tjetër.

Te një kthesë pas Gramshit pyete një teptil që po kalon anës udhës: a bëni ndopak kanabis ju këtej? Teptili do thotë: jo-jo-jo ç’është ajo fjalë?!

Ik deri te një vend ku para shtëpisë mbi një tezgë dikush ka nxjerrë rrush dhe shegë për t’i shitur. Mos e prit shitësin apo shitësen që nuk duken gjëkundi. Vetshërbehu. Merr një vile rrush dhe lëri 500 lek mbi tezgë.

Duke ikur e duke ngrënë kokrra rrushi, do të ndalë një polic rrugor. Nuk ke vënë rripin dhe nuk ke ndezur dritat. Çmende policin me një rrebesh fjalësh për bukuritë e Lenies, Moglicës, Devollit. Polici i pataksur nga rrëfimi yt, do të thotë: po të vë gjobë ty më vret i madhi Zot!

Pa vajtur në Gostimë te një portë do shohësh një plak që rri mendueshëm me sytë drejt infinitit. Mos u krruaj me magjistarin.

Ndiz dritat, vër rripin, ha rrush, ik në Tiranë. Duke uluritur… malli i zemrës time, këngë-e-vaj bashkuar, mjer a un i mjeri, ç’pata dashuruar!

©Edison Ypi

 

 

Share With:
Rate This Article

kelcyrjoti.1988@gmail.com

No Comments

Leave A Comment