Banorët shpëtojnë për mrekulli, shembet ura në Gramsh sapo kaluan autobusët e linjës
Reshjet e shiut pak ditë më parë në zonën e Gramshit sollën dëme të konsiderueshme në disa fshatra ku ndër të cilat në fshatin Kukur u dëmtua një urë.
Ndërkohë sot disa ditë pas stuhisë që pushtoi zonën kjo urë është shembur duke e bërë rrezik për banorët e zonës.
Ura kishte një lartësi prej 5 metrash dhe me lartësi 10 metra dhe u shemb pasi në të kaluan disa autobusë.
Reagon kryebashkiaku i Gramshit Besian Ajazi:
“Kjo është ura në hyrje të fshatit Kukur. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut këto ditë dhe prurjeve të vrullshme të përroit që kalon nën të, ka rrëshkitur toka dhe për pasojë ura është shembur totalisht dhe është bërë e pakalueshme si nga këmbësorët ashtu edhe nga automjetet.
Sapo morëm njoftimin, punonjësit e drejtorisë së infrastrukturës dhe shërbimeve publike shkuan në vendngjarje për tu njohur me situatën dhe për të parë nga afër mundësinë e ndërhyrjes për hapjen e një rruge provizore deri në ndërtimin e urës së re.
Kam marrë komunikim me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Energjitikës dhe Infrastrukturës dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për mundësinë e mbështetjes nga ana e tyre me logjistikën e nevojshme për realizimin sa më parë të urës së re.
Faleminderit Ministres Balluku dhe Drejtorit të ARRSH Berberi për gatishmërinë dhe përgjigjen e menjëhershme ndaj kësaj problematike. Ditën e hënë vjen grupi i punës nga ARRSH dhe shumë shpejt zgjidhja përfundimtare, ura e re.
Ndërkohë, brenda ditës së nesërme hapet nga shërbimet e Bashkisë rruga provizore alternative për të bërë të mundur levizjen e banorëve të NjA Kukur.
Garantoj të gjithë banorët e njësisë administrative Kukur se Bashkia do të gjejë dhe do të relizojë në kohë rekord hapjen e rrugës alternative për të mos bllokuar lëvizjen e tyre drejt qytetit dhe fshatrave përreth dhe anasjelltas dhe do tju lutesha për MIRËKUPTIM pasi fatkeqësitë që shkaktohen nga fenomene natyrore nuk mund të parashikohen dhe parandalohen nga Bashkia, të cilën unë e drejtoj prej 76 ditësh.
Për çakenjtë që nuk lejnë rast pa “hedhur valle” mbi fatkeqësitë natyrore dhe komentatorët fejbukianë që komentojnë me “bark të djegur” për Gramshin nga ishujt grek, restorantet e Tiranës apo kolltuqet e shtëpisë kam vetëm një fjali: Keqardhje! Do t’ju zhgënjej edhe këtë herë si gjithmonë, ME PUNË🙏🏻”