Baba Hekuran Nikollari u gjet pa jetë në “Teqenë e Alipostivanit”, reagon Policia
Policia ka reaguar për ndarjen nga jeta të Baba Hekuran Nikollari, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 61-vjeçare mbrëmjen e së hënës.
Raportohet se Baba Hekuran Nikollari u gjet pa shenja jete rreth orës 22:00, në Teqenë e Alipostivanit, ku dhe jetonte.
Sipas bluve, në trupin e tij nuk janë vërejtur shenja dhune dhe paraprakisht dyshohet se ka humbur jetën nga shkaqe natyrale.
Pritet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.
“Përmet/Më datë 03.02.2025, rreth orës 22:00, në vendin e quajtur “Teqeja e Alipostivanit”, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi H. N., 61 vjeç, Baba i Teqes.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën nga shkaqe natyrale. Pritet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, bën me dije Policia.