Art në vendlindje | Ekspozita e Ilmi Zanit, një udhëtim artistik nga SHBA në Gramsh
Piktori Ilmi Zani, i cili prej vitesh jeton dhe krijon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është rikthyer në vendlindjen e tij, në Gramsh, për të hapur ekspozitën e dytë personale në këtë qytet.
Ekspozita e parë e Zanit në Gramsh u mbajt në vitin 2017, ndërsa këtë herë ai solli për artdashësit punime të reja, që pasqyrojnë udhëtimin e tij artistik ndër vite.
Çelja e ekspozitës u bë në ambientet e Pallatit të Kulturës, ku të pranishëm ishin Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi, Drejtori i Pallatit të Kulturës, Elidon Brahimi, si edhe shumë qytetarë, artdashës e të rinj që vizituan nga afër veprat e ekspozuara.
Në organizimin e këtij aktiviteti dha kontribut të veçantë edhe piktori Vesi Hoxha, i cili asistoi në përgatitjen dhe kurimin e ekspozitës.
Ky aktivitet u prit me interes të veçantë, duke sjellë në qendër të vëmendjes figurën e piktorit gramshiot, i cili me krijimtarinë e tij ka lënë gjurmë në artin pamor brenda dhe jashtë vendit.
Me këtë ekspozitë, Ilmi Zani jo vetëm ndau artin e tij me bashkëqytetarët, por edhe përcolli një mesazh frymëzimi për brezat e rinj që duan të ndjekin rrugën e artit.