Video / “E kam dy herë jetën nga ai”/Dr. Orioni ndan historinë e veçantë me babain, Koço Gliozhenin
Mjeku i njohur Orion Gliozheni ndau disa kujtime me babain e tij, Koço Gliozhenin në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”. I pyetur nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea se si kanë qenë raportet me të, mjeku rrëfen se pavarësisht ngarkesës së të atit, të dy kishin një lidhje shumë të afërt. Jo vetëm kaq, por babai i tij i ka dhënë jetë dy herë pasi ka qenë dr. Koço ai që mundësoi lindjen e të birit.
Dr. Orion Gliozheni: Në kohën që ai ka punuar, ka pasur pak mjekë të vjetër dhe me eksperiencë kështu që ia mori edhe shtëpinë shumë afër me maternitetin pasi pothuajse çdo natë, çdo ditë e thërrisnin në spital. Për pasojë, koha që mbetej për të ndenjur me neve ishte pak, merrej kryesisht mamaja por atë kohë që ai gjente, ishte shumë i afërt, shumë. Unë kisha raporte veçanërisht shumë të ngrohta me të të cilat i kujtoj edhe sot me një përmallim e një kënaqësi të madhe.
Ardit Gjebrea: Juve ju ka sjellë ai në jetë?
Dr. Orion Gliozheni: Po.
Ardit Gjebrea: Pra ti ke lindur nga duart e babit tënd?
Dr. Orion Gliozheni: Kam lindur nga duart e babait pasi edhe kjo ka qenë një histori e bukur. Unë isha me peshë të madhe, lindja pati vështirësi, ishte një mjek rus në atë kohë dhe hyri ai për t’i asistuar mamasë time dhe babai normalisht priste jashtë në korridor. Ai u mundua e u mundua, doli jashtë e i tha nuk arrij dot. U fut babai vetë dhe nëpërmjet një instrumenti që quhet forceps më nxori kështu që unë e kam dy herë jetën nga babai, e para sepse jam djali i tij, e dyta sepse më nxori në jetë nga mamaja. Është vërtet një histori e bukur./tvklan.al