Video / Gramsh/ Fshati Sarasel po braktiset. Shpopullimi ka fshat 10 familje në këtë!
Shpopullimi është kthyer në një fenomen shqetësuar kohët e fundit, ku peshën më të madhe të largimit të popullsisë po e ndjejnë kryesisht fshatrat e thellë. Fshati Sarasel, në kufi me Njësinë Administrative Lumas dhe pjesë e bashkisë Gramsh, është fshati ku sot kanë ngelur vetëm 30 persona, nga 80 familje që jetonin në këtë fshat vite më parë.
Në këtë fshat sheh shtëpi të kyçura, toka të papunuara dhe në rrugët e tij plotë baltë është vështirë të gjesh njerëz në rrugë. Siç pohojnë edhe vetë banorët, aktualisht në këtë fshat jetojnë vetëm pak familje dhe në to kanë ngelur vetëm mosha e tretë pasi të rinjtë e këtij fshati janë larguar thuajse të gjithë. Rrugët si në mesjetë dhe larg çdo standardi minimal, nuk kanë njohur asnjëherë asnjë investim nga ana e pushtetit vendor, ndërsa siç shprehen edhe vetë banoret e zonës, në këtë fshat prej shumë vitesh tashmë mungojnë edhe ceremonitë martesore pasi askush nuk dëshiron të martoje fëmijët në atë zonë të harruar.
Shpopullimi i fshatit dhe largimi i të rinjve ka bërë që bujqësia, e cila siguronte të ardhurat e këtyre familjeve të braktiset dhe si pasojë shumica e tokave në këtë zonë janë lënë djerrë.
“Jetesa është shumë e vështirë, këtu është për të ikur natën, nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Bëhen a s’bëhen rreth 30 veta në fshat dhe ata janë dyshe-dyshe, pleqëri. S’ka ngelur më asnjë i ri në fshat, kush vjen rri dy ditë sa për të takuar prindërit dhe ikën, i detyrojnë kushtet për të ikur nga ky fshat”,shprehen banorët.
Përpos të gjitha problematikave që ka ky fshat, më kryesoret mbeten mungesa e ujit të pijshëm e rrugëve, mungesa e një qendre shëndetësore dhe mbyllja e shkollës fillore.
Për këto arsye, të sëmurët por edhe ata pak fëmijë që kanë ngelur, janë të detyruar të shkojnë në fshatin Lumas, si për të marrë ndihmë mjekësore ashtu edhe për tu arsimuar.
“Shkolla në fshat është mbyllur prej vitesh, fëmijët shkojnë në fshatin Lumas të Beratit. Këtu nuk ka as rrugë, as investime, as ujë të pijshëm. Jetesa është bërë e vështirë për arsye të rrugës, ato pak prodhime që bëjmë nuk kemi me çfarë t’i transportojmë, një sëmundje të kemi e transportojmë të sëmurin me kafshë deri në Lumas pasi Gramshin e kemi shumë larg”, shprehen banorët.