Rritja e fondeve private të pensionit u ngadalësua vitin e kaluar
Zgjerimi i fondeve private të pensionit me anëtarë të rinj u ngadalësua vitin e kaluar.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve arriti në 38 180, në rritje me 4.55% krahasuar me një vit më parë.
Gjatë vitit 2023, fondeve private të pensioneve u janë shtuar 1662 kontribuues. Ritmi i rritjes së numrit të anëtarëve pothuajse është përgjysmuar krahasuar me vitin 2022.
Rritja modeste e tregut, duke pasur parasysh edhe nivelin mjaft të ulët të depërtimit të pensioneve private në shoqëri, tregon se zgjerimi i këtyre skemave mund të ketë nevojë për më shumë incentiva.
Në një dekadë, numri i anëtarëve të fondeve të pensionit është rritur me pothuajse pesë herë, por kjo rritje ka ardhur mbi një bazë shumë të ulët dhe shkalla e pjesëmarrjes së punonjësve në këto fonde ngelet mjaft modeste. Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat përbën më pak se 3% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend.
Në nëntor të vitit të kaluar, hyri në fuqi ligji i ri “Për fondet e pensionit privat”, që do të sjellë rritje të ndjeshme të incentivave fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve.
Me ligjin e mëparshëm, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontributet në pensione private, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Sipas ligjit të ri, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritet deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj.
Duke qenë se përjashtimi nga taksat lidhet me nivelin e pagës minimale, pritet që ky stimul të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme. Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 480 mijë lekë në vit ose 140% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh.
Edhe kontributet e pensionet privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.
Ligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.
Vitin e kaluar, rritja e tregut u ngadalësua edhe e matur sipas vlerës së aseteve neto të fondeve. Vlera e tyre në fund të vitit 2023 arriti në 6.7 miliardë lekë ose gati 65 milionë euro, në rritje me 18.2% krahasuar me një vit më parë. Për vitin 2022, rritja e aseteve neto të tregut kishte qenë 24.3%. Asetet e fondeve investohen kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare.
Në treg aktualisht veprojnë gjashtë fonde të pensioneve private, të administruara nga katër shoqëri administruese.
Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg në fund të vitit 2023 Credins Pension, me rreth 49.38% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 29.45%, Albsig Pension me 10.68%, Raiffeisen Pension me 9.93%, Smart Pension, me 0.51% dhe Sigal Pro, me 0.06%.
Krahasuar me një vit më parë, fondi më i madh Credins Pension ka pësuar një rënie të lehtë në pjesën e tregut, ndërkohë që fondet e tjera kanë fituar terren, duke përfshirë edhe dy fondet që nisën aktivitetin në 2023, Smart pension dhe Sigal Pro.
Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 41.29% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 30.38%, Raiffeisen Pension me 20.73%, Albsig Pension me 7.33%, Smart Pension, me 0.26% dhe Sigal Pro, me 0.01%.
Në ndarjen e tregut sipas vlerës së aseteve, rritje kanë shënuar dy fondet e administruara nga Albisg Invest, Albsig Pension dhe Smart Pension, ndërsa fondet e tjera të investimit kanë pësuar rënie të peshës së tyre të tregut./E.Shehu