64 viktima nga tërmeti në Japoni, të mbijetuarit përballen me temperaturat e ulëta
Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme në Japoni ka arritur në 64 të mërkurën ndërsa shumë njerëz ende mbeten të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura, transmeton Anadolu.
Të paktën 64 persona janë konfirmuar të vdekur në provincën Ishikawa, që ndodhet përgjatë bregdetit në ishullin Honshu, raporton “Kyodo News” me bazë në Tokio.
“Jemi në garë me kohën për të shpëtuar jetë”, tha kryeministri japonez, Fumio Kishida.
“Njerëzit janë ende të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të dëmtuara ose të shembura. Qeveria do të bëjë gjithçka të mundshme, duke i dhënë prioritet shpëtimit të jetëve”, tha ai para gazetarëve, sipas transmetuesit publik japonez NHK.
Dhjetëra qindra njerëz u evakuuan në vende më të sigurta. Gjithashtu edhe në provincat Ishikawa, Niigata, Fukui, Toyama dhe Gifu ka shumë të plagosur.
Shumë zona janë ende të shkëputura për shkak të çarjes së madhe të rrugëve dhe ndërprerjes së transportit, ndërsa Ministria e Mbrojtjes po shqyrton përdorimin e helikopterëve për të shpërndarë ndihma.
Agjencia e motit në vend ka parashikuar reshje shiu deri të enjten. Japonia ka mobilizuar rreth 10 mijë ushtarë për operacione kërkimi, shpëtimi dhe ndihme.
Japonia qendrore është goditur nga një seri tërmetesh që nga e hëna pasdite me magnitudë deri në 7.6 ballë, duke shkaktuar paralajmërim për cunami, zjarr të madh dhe valë të larta deri në 4 metra.
Paralajmërimi për cunami u hoq më vonë nga autoritetet. Epiqendra e tërmetit ishte në rajonin Noto përballë Detit të Japonisë.