“Ishte më i miri edhe në rekorde”! Armand Duka reagon për ndarjen nga jeta të Dwamena-s: Jam i tronditur dhe i shokuar
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka ka reaguar për ndarjen nga jeta të lojtarit të Egnatias, Raphael Dwamena.
Numri një i futbollit shqiptar ka shkruar në mediat sociale: “Jam thellësisht i shokuar e i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të lojtarit të Egnatias, Raphael Dwamena”.
“Një lojtar i fortë, me shpirt gare, një futbollist që edhe në statistikat e FSHF dhe të Superiores, kishte rekordin më të mirë të golave”.
“Dwamena tregonte disiplinë e karakter dhe një futbollist që kishte komunikim të jashtëzakonshëm me shokët e ekipit, por edhe jashtë tij”.
“Në emër të FSHF i shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të futbollistit dhe vetë ekipit të Egnatias ku ai kontribuoi dhe shkëlqeu në këtë karrierë të tillë futbollistike. Rest in peace Raphael Dwamena”, përfundon presidenti i FSHF-së, Duka.
28-vjeçari Dwamena u nda nga jeta këtë të shtunë në spitalin e Kavajës. Ganezi ishte në fushë në duelin mes Egnatias dhe Partiznait në Rrogozhinë, teksa në minutën e 23 ra pa ndjenja në fushë.
Ai mori ndihmën e parë në fushë nga vetë lojtarët dhe stafet mjekësore, dhe më pas u dërgua në spital, por nuk mundi t’i bënte ballë sulmit në zemër.