Talentet e reja në Gramsh çelën ekspozitën e përbashkët “Qyteti im evropian” këtë fundjavë
Të shtunën paradite (04.11.2023), në mjediset e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Bashkinë e Gramshit u hap ekspozita “Qyteti im evropian”, me punime nga talentet e reja të shkollave “Rilindja”, “35-Vjetori i Çlirimit” dhe “Asllan Shahini”.
Tematika e krijimeve ishte mjedisi, ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e shtresës së Ozonit – si problematika dhe sfida që sot diskutohen në rang lokal dhe global. Ekspozita u organizua nga ABC Tirana Club, e cila më parë ka hapur të tilla dhe në Korçë, Mat, Tepelenë dhe Tiranë. Javën e ardhshme (datë 11.11.2023) stacioni i radhës do të jetë në Kukës. Ky projekt mbështetet nga Agjencia e Mbështetjes së Shoqërisë Civile, AMSHC.
Gjatë ceremonisë hapëse nga organizatorët u theksuan tri synimet kryesore të “Qyteti im evropian”:
-të japë impuls të ndjeshëm në gjallërimin e jetës kreative artistike mes të rinjve të talentuar;
-t’u japë kurajo atyre që, krahas aksesit të prezantimit krijues në publik, të forcojnë zërin që të dëgjohet më shumë në problematikat me të cilat përballet komuniteti;
-të sensiblizojë pjesëmarrësit në projekt duke informuar dhe edukuar për vlerat evropiane dhe për rëndësinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Nënkryetarja e Bashkisë së Gramshit, Ergita KASO, vlerësoi punimet e talenteve të reja, imagjinatën dhe propozimet e tyre për qytetin e tyre ideal. Ajo përmendi projektet në dobi të komunitetit, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë,
Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, shkrimtarja Leidi SHQIPONJA, prezantoi disa nga aktivitetet kryesore që janë zhvilluar, si dhe inkurajoi autorët e krijimeve që të vijojnë të ushtrohen në artet pamore.
Pjesa më interesante ishte ajo e prezantimit nga talentet të punimeve, duke treguar për të pranishmit fubulën e krijimit, si dhe teknikat e përdorura.
Nga 63 autorët që paraqitën punime për “Qyteti im evropian” u përzgjodhën 41, të cilët ishin brenda tematikës së përcaktuar, si dhe e kishin realizuar punimin me cilësi.
Autorët që u prezantuan në ekspozitë ishin:
Olivia KARAJ, Lubjana ZANI, Leo SINANI, Ira ZHUPANI, Xhoana NASUFI, Lucjano MEKO, Kristiana DANEJA, Irla HOXHA, Iris MIRAKA, Adela DOLLANI, Orgita HASA, Erjeta ÇOKU, Veriselda BORA, Matilda SHULI, Joana. LLESHI, Ester MEMA, Ana ZOGU, Altevisa CEKREZI, Inesa IBRO, Isavela KRYEMADHI, Ermela MURATI, Evi SHAHINI, Anxhela HOXHA, Emili SHALIU, Adelaida TOPALLI, Ervisa TOSKA, Arli KUMRIA, Arisa BLOGU, Arjela DAKARE, Emanuel FERRA, Dea BRAHO, Vanesa ÇONIKU, Dion QOSJA, Edma RRODHE, Aleksia ROCI, Ajsli RRODHE, Ersiola BUZANI, Isra DOLLANI, Adisa GUZI, Ajsi LILA dhe Amanda BITRA.
Ata punuan nën kujdesin e mësueseve të arteve pamore Leziana MYFTARI, Diana VERUSHI dhe Lindita RANXHA. Dy mësueset prezente në aktivitet, Leziana MYFTARI dhe Lindita RANXHA bënë një vlerësim artistik të punimeve, duke nxjerrë pah angazhimin maksimal dhe dëshirën e nxënësve për paraqitje sa më dinjitoze në ekspozitë.
//Qendra ABC Tirana CLUB//