a
Copyright Mikado Themes 2016
Copyright Channelnewsgramshi.com
HomeKryesore“Të shkruarit është bërë ves dhe vesi vdes bashkë me njeriun”, intervistë me poetin Pozaet Qose

“Të shkruarit është bërë ves dhe vesi vdes bashkë me njeriun”, intervistë me poetin Pozaet Qose

“Të shkruarit është bërë ves dhe vesi vdes bashkë me njeriun”, intervistë me poetin Pozaet Qose

Pozaet Qose, më i madhi i shtatë fëmijëve, u lind në një fshat malor, që mban emrin Sojnik.

“Për mua, më i bukuri mbi faqen e dheut, për të tjerët, s’e di”, thotë menjëherë sa fillon të flasë për fëmijërinë. Ka qenë një fëmijë i tërhequr, i mbyllur në vete, sa që bashkëmoshatarët e quanin “humbameno”. I dhënë dhe i dashuruar marrëzisht pas natyrës e pas bukurive që i shfaqte ajo. Pak kohë më vonë, i rrëmbyer pas librave, aq sa gjyshja nga ana e babait e qortonte shpesh për punët e pakryera.

“Kisha qejf të rrokullisja gurë e të harrohesha pas fluturave. Prindërit e mi ishin njerëz të zakonshëm, që, për shkaqe të pavarura prej tyre, nuk më jepnin sa duhet kohë, por nuk harronin asnjëherë të më jepnin me tepri dashurinë e tyre, gjë për të cilën sot e sa të kem frymën do t’u jem mirënjohës.”

Dëshira më e madhe ishte të bëhej mësues, siç është sot, por ai do të merrte një drejtim tjetër, ndryshe nga ajo që donte vërtet, për shkak të kohës dhe sistemit arsimor në atë periudhë.

“Edhe pse dëshiroja të bëhesha mësues, unë shkollën e mesme e vazhdova për ekonomist bujqësie në Berat, në vitet 1978-1982. Formalisht zgjedhja ishte imja, për aq të drejta studimi sa erdhën atë vit. Unë mbarova arsimin e detyruar, por shpirtërisht profesioni i shenjtë i mësuesit flinte brenda meje.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, punova dy vjet si llogaritar në ish-kooperativën bujqësore të vendlindjes sime dhe në vitin 1984 fillova studimet e larta për mësuesi në profilin “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”, me rekomandim të Lidhjes së atëhershme të Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.”

Ndryshimi i profesionit, erdhi si dhuratë e një lloj talenti që ai kishte, aftësisë për të shkruar.

“Kam filluar të vargëzoj aty nga klasa e pestë dhe mbaj mend që vjersha ime e parë i kushtohej Qemal Stafës. Natyrisht këto vargje ishin imitime ose të këngëve popullore që kisha dëgjuar, ose të poezive që kisha lexuar aty-këtu. Më kujtohet se, kur kisha sajuar si kisha mundur një lloj vjershe, nuk thosha “kam bërë ose shkruar një vjershë”, por “kam ngjallur një vjershë”. Më pëlqen sa s’thuhet edhe sot e kësaj dite ky lloj emërtimi intuitiv, që bart magjinë e artit në përgjithësi e atë të poezisë, në veçanti. Këtë përpjekje modeste e vazhdova në shkollën e mesme, gjatë viteve të punës në vendlindjen time, s’do mend, edhe gjatë kohës kur isha student e më pas. Krijova kontakte me degën e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të rrethit, që aso kohe e drejtonte mësuesi e shkrimtari Vangjush Saro dhe, pasi i shkrova një letër në shtator të vitit 1983, Kryetarit të LSHA-së, të mirit Dritëro Agolli dhe ai duhet të ketë pyetur presor Vangjushin për mua e ky duhet t’i ketë folur me shumë dashamirësi për punën time sa rrjedha e jetës sime ndryshoi kryekëput; nga ekonomist u bëra mësues, pa e harruar asnjë çast poezinë, këtë “mallkim hyjnor”.

Një pjesë e punës së tij është paraqitur në edhe në katër përmbledhje poetike të publikuara me vështirësi dhe me ndihmën e miqve të tij. Me mëdyshje dhe hezitim në të përgjigjur, autori nuk vendos dot se cilën parapëlqen më shumë nga veprat e tij, megjithatë veçon paksa të parën.

“Më duhet të them se librat e mi me poezi janë gjysmëpiratë, sepse nuk janë botuar nga shtëpi të mirëfillta botuese dhe unë kopjet e disave prej tyre i kam çuar dorazi në Bibliotekën Kombëtare, atëherë kur pranohej kjo praktikë. Sa për më të pëlqyerën, të gjitha janë të tilla, por botimi i parë mbetet shenja më e bukur në këtë udhë marrëzie të fisme.

Sot nuk është vështirë të botosh se drënk paret dhe e ke në dorë librin. Sot problemi është se shumica e shtëpive botuese janë thuajse shtypshkronja. Të marrin lekët, të japin librin në aq kopje sa është bërë ujdia dhe vra veten, po deshe. Pak prej tyre marrin persipër të bëjnë reklamën e botimit, redaktimin, korrektimin gjuhësor e paraqitjen në panairet e librave. Ky është problemi që e vetmon shkrimtarin nga lexuesi dhe shemb çdo urë të komunikimit të të parit me të dytin.”

Në dhjetor të vitit 1988, në fshatin Kukur, dy orë larg fshatit të tij të lindjes, Pozaet Qose dha për herë të parë mësim. Aty u njoh edhe me partneren e tij të jetës, bashkëshorten e tij me të cilën sollën në jetë tre fëmijë.

“I emocionuar, sa s’thuhet, por me dëshirën për të bërë më të mirën që dija. i mbaj mend mjaft prej nxënësve të mi të asaj kohe, edhe pse qëndrova atje vetëm një vit e gjysmë. Disa prej tyre sot i kam kolegë dhe ndihem mirë, kur qëllon të këmbejmë mendime për probleme të ndryshme të punës. Aty takova dhe bashkëshorten time. Na poqi ylli, si i thonë fjalës. Deri sot nuk jam zhgënjyer për këtë zgjedhje, edhe pse kemi bashkë 32 vite martesë. Me fëmijët kam një marrëdhënie të saherëshme mirëkuptimi; I dëgjoj, u jap mendime, pranoj mendimet e tyre dhe i lë t’i marrin vetë vendimet për jetën.”

Me nostalgji të madhe dhe mirënjohje në zërin e tij, Pozaeti kujton mundësinë që ju dha për të zhvilluar një intervistë me njeriun e shquar të letrave shqipe, Dritëro Agollin.

“E quaj fat të madh mundësinë që m’u dha në shkurt të vitit 1992, që t’i bëja një intervistë për gazetën lokale “Shpresa” njeriut të shquar të letrave shqipe dhe borxhliut tim përsonal, që me shpirtin e tij të bukur kishte besuar tek unë, pa më njohur nga afër. Edhe sot them se është një nga intervistat më të bukura që kam bërë për gazetën e rrethit, të cilën e regjistrova në një magnetofon të markës “Sherebel”, që ia mora hua një mikut tim.”

Botimeve të tij në shtypin e shkruar gradualisht i erdhi fundi dhe teksa tregon arsyen e kësaj duket tepër i revoltuar me faktin sesi gjërat funksionojnë.

“Kam ndaluar së botuari para, të paktën, dhjetë vitesh, sepse gazetat a revistat vetëm të marrin gjithçka e nuk të japin asgjë, domethënë nuk të paguajnë asnjë qindarkë. Po unë këtë pasuri kam dhe mendoj se publikimi i saj duhet të vlerësohet edhe financiarisht nga ata botues që zgjedhin ta bëjnë pjesë të gazetave a revistave të tyre.”

Por pa dyshim ndër vite ka ndryshuar shtypi dhe përmbajtja e tij dhe në këndvështrimin e Poazetit ndryshimi është i madh dhe i dukshëm.

“Ka ndryshuar shumë, sepse sot nuk është më i kontrolluar si në kohën e shtetit monist prej censurës së partisë në pushtet. Por kjo liri nuk është mirëpërdorur, sipas meje, sepse sot shtypi bëhet shpesh shërbëtor i klaneve të caktuara, për hir të parasë dhe nuk mban përgjegjësi edhe atëherë kur e shpërdoron në mënyra flagrante të vërtetën.”

Veç përmbledhjeve poetike, mjaft krijime të tjera letrare e shkrime publicistike Pozaeti i ka botuar në organe të ndryshme të shtypit të përditshëm e atij periodik, si në revistën e përjavshme letrare “Obelisk” dhe gazetat “Drita”, “Temp”, “Ndryshe”, “Albania” “Nacional”, “55”, etj. Ai ka qenë Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe vazhdon të jetë anëtar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”.

“Formalisht jam ende anëtar por kam kohë që nuk jam aktiv, pasi këto klube pak mundësi ofrojnë për antarët e tyre, aq më shumë që ky klub e zhvillon veprimtarinë e tij në Greqi.”

Teksa kafeja është lënë në harresë e është ftohur dhe bisedës i afrohet fundi e pyes profesorin nëse do vazhdojë të shkruajë e nëse ka plane të tjera veç mësuesisë dhe menjëherë fillon të buzëqeshë.

“Tani kjo puna e të shkruarit na është bërë ves dhe ju duhet ta kini dëgjuar që vesi vdes bashkë me njeriun. Do të vazhdoj të shkruaj se më duket sikur plotësoj veten, sikur pasuroj komunikimin tim me të tjerët dhe bëj përpjekjen time për ta bërë pak më të pranueshme këtë jetë, që sot është bërë kaq shumë problematike. Plane veç mësuesisë?! Po ç’plane të tjera mund të bësh në këtë çorganizim të organizuar? Lutem që ta mbyll me faqe të bardhë këtë punë që nisa 35 vjet më parë e, pastaj, nëse do të kem mundësi, dëshiroj të shkoj bashkë me time shoqe në qytete e zona të tjera të bukura të Shqipërisë, të cilat i kemi parë në televizor e na kanë lënë pa mend.”

Share With:
Rate This Article

kelcyrjoti.1988@gmail.com

No Comments

Leave A Comment