Lorenc Trashi, nga një fëmijë i talentuar në futboll në një futbollist të plotësuar
E para gjë që të bie në sy nëse shikon për herë të parë Lorenc Trashin është fiziku i tij, rezultat i pothuajse gjithë jetës në stërvitje. Në dukje mesatar, me trup të lartë, të paktën 175 centimetra, Trashi ta jep vizualisht imazhin e asaj çfarë është, një sportist dhe haptazi një futbollist. I lindur dhe i rritur në qytetin e Gramshit, ai vjen nga një familje e thjeshtë. Teksa e pyes për fëmijërinë e tij, ai tregon se si çdo fëmijë që rritet me dëshira dhe ëndrra edhe ai kishte ëndrrën e tij në sirtar. Të bëhej një futbollist që familja të arrinte ta shihte duke luajtur në televizor. Ai duket krenar dhe i lumtur teksa ndan detaje nga periudha e fëmijërisë së tij, e ndërsa tregon një e nga një hapat që ka hedhur për të arritur këtu ku është sot.
“Si çdo fëmijë që ka ëndrra dhe unë kam patur ëndrrën time, të bëhem një futbollist që të krenoj familjen time dhe dëshira ime më e madhe ka qenë që një ditë familja ime të më shikojë në televizor duke luajtur futboll.”
Hapat e para i hodhi në qytetin e lindjes me grup moshat dhe më pas kaloi në ekipin e parë në kategori të parë në moshën 16-vjeçare. Aty luajti për katër vite, deri në moshën 20-vjeçare dhe më pas u transferua në ekipin e Lushnjes, në Super League, duke realizuar kështu edhe një nga ëndrrat e tij.
“Me punë dhe sakrificë kam bërë një sezon shumë të mirë si viti i parë në Super League ku kam shënuar 8 gola.”
Nuk zgjati shumë dhe ai u transferua tek ekipi më i madh në Shqipëri, Partizani. Aty ndryshoi gjithçka në jetën e tij, aty më në fund kuptoi se ëndrra e tij e fëmijërisë po kthehej realitet
“Kisha shumë besim te vetja dhe isha shumë i përqëndruar, i fokusuar në çdo seancë stërvitore, në çdo ndeshje zyrtare. Me shumë punë, mbas 5 viteve te ekipi i Partizanit shpallemi kampion të Shqipërisë.”
Si një nga momentet më të lumtura për të, Trashi kujton momentin kur thirret nga Kombëtarja e Shqipërisë, me nostalgji ai kujton natën që nuk vuri gjumë në sy nga emocionet.
“Momenti më i gëzueshëm për mua dhe familjen time ishte momenti kur unë thirrem nga Kombëtarja e Shqipërisë. Ishte diçka e madhe, atë natë nuk kam bërë gjumë vetëm nga mendimet e tepërta dhe nga lumturia. Që në debutimin e parë me ekipin kombëtar në Moldavi unë shënova gol. Ishte diçka fantastike, kurrë se kisha menduar diçka të tillë. Unë po bëja krenar familjen time, njerzit e mi, qytetin tim të lindjes.”
Teksa çdo gjë po shkonte mirë për të, atij i erdhi oferta nga Arabia ku firmosi një kontratë 5-vjeçare në Kuvajt me ekipin Al Qadsia.
“Atje qëndrova për dy vjet e gjysmë dhe u riktheva për një eksperiencë të re në Ligën e Kosovës me ekipin e Ballkanit ku u shpallëm kampion dhe tani jemi futur në grupet e Europe Conference League. Është një ëndërr e imja që kam dashur ta bëj realitet.”
Pas kaq shumë vitesh në fushën e blertë ai tregon se ndjehet i plotësuar në karrierën e tij futbollistike, ka arritur çfarë ka dashur dhe i ka kthyer ëndrrat e tij të fëmijërisë në realitetin që zgjohet çdo ditë.