Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se, “të gjithë blegtorët aplikantë do të përfshihen në mbështetjen e Skemës Kombëtare 2023”.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se, “të gjithë blegtorët aplikantë do të përfshihen në mbështetjen e Skemës Kombëtare 2023”.
“Këtë vit kemi bërë një ndryshim. Kemi futur në mbështetje të gjithë blegtorët aplikantë në Skemën Kombëtare. Atë buxhet që kemi vënë në dispozicion për masën e blegtorisë, pavarësisht se sa do të ishte numri i aplikantëve, do të jenë përfitues të gjithë. Ne do t’i shkojmë listës deri në fund edhe nëse do të ulet masa e financimit për ndonjë nga fermerët, nuk do të ketë kufizim, disa poshtë apo jashtë listës, por përfitojnë të gjithë“, u shpreh Krifca, gjatë vizitës që zhvilloi në fshatin Shtërmen, Cërrik, në fermën blegtorale të Endritit, që ka ngritur një fermë model me cikël të mbyllur, falë pasionit për punën me blegtorinë dhe mbështetjen nga Skema Kombëtare.
Endriti mbarështon 1 mijë krerë të imta, dele, ndërkohë që ka krijuar një fermë me cikël të mbyllur, duke bërë bashkë 150 fermerë të zonës, me rreth 70 ha tokë, ku ai prodhon ushqim për blegtorinë.
Ministrja Krifca e shoqëruar nga deputeti Damian Gjiknuri, u njohën nga afër me punën e Endritit, një blegtor që përkujdeset çdo ditë për tufën e deleve dhe synon të ecë përpara për zgjerimin e fermës që prodhon mish dhe e shet atë për konsumatorët në Tiranë, Elbasan e Berat.
Ministrja e cilësoi këtë fermë, një shembull të vërtetë të blegtorisë në Shqipëri.
“Ky është një shembull i blegtorisë së vërtetë shqiptare, me cikël të mbyllur, me njerëz të punës e pasionit që transformojnë jetesën në zonat rurale nëpërmjet angazhimit në bujqësi e blegtori, me aktivitete që rrisin ekonominë prodhuese blegtorale”, tha Krifca.
Endriti tregon se e nisi këtë aktivitet në vitet ’91, me rreth 90 krerë dele, ndërsa sot e ka shtuar tufën në 1 mijë krerë, falë edhe mbështeteve që ka marrë nga subvencionet. “Vitin e kaluar përfitova financim dhe këtë vit kam aplikuar”, thotë ai, teksa shprehet falenderues për punën që ka bërë ministria në hapjen e kanaleve kulluese dhe vaditëse.
Ministrja Krifca vuri në dukje se, fokus i punës është mbështetja për sektorin bujqësor.
“Shpeshherë kuptohet sikur mbështetja është të japësh vetëm para për krerë, që patjetër është një ndihmë, por ne synojmë ta shtojmë atë”, u shpreh ajo.
Ministrja shprehu angazhimin se me investime në infrastrukturën vaditëse dhe kulluese, që i vijnë në ndihmë fermerëve dhe blegtorëve dhe përmes mbështetjes nga skemat kombëtare, synohet që të jenë pranë fermerit në çdo hap.
Gjatë vizitës në fermë, Krifca inspektoi edhe punimet që po zhvillohen në kanalin e Durrësit, i cili po pastrohet nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit për të siguruar një mbrojtje eficiente dhe sezon të mbarë për mijëra fermerë si Endriti që punojnë këto toka e që falë kësaj pune të pakryer në tridhjetë vite do të mbrojë më së miri këto toka gjatë sezonit të shirave të vjeshtës.