a
Copyright Mikado Themes 2016
Copyright Channelnewsgramshi.com
HomeKryesoreGramsh / Grabova e vogël e shkëlqimit të dikurshëm Nga Ilirjan Gjika

Gramsh / Grabova e vogël e shkëlqimit të dikurshëm Nga Ilirjan Gjika

Gramsh / Grabova e vogël e shkëlqimit të dikurshëm Nga Ilirjan Gjika

Grabova e vogël e shkëlqimit të dikurshëm
Nga Ilirjan Gjika

Dikur përgjatë mesjetës në pjesën juglindore të Shqipërisë lindën dhe u zhvilluan disa qëndra të mbrojtura natyrore si Voskopoja, Vithkuqi, Shipska, Nikolica, Llënga, Grabova dhe Niça, etj1. Gjatë shek. XVII-XVIII ato do të arrinin zhvillimin më të madh duke ndërvepruar midis tyre të lidhura me një sërë rrugësh, duke krijuar një zonë të zhvilluar në aspektin akonomik, shoqëror dhe kulturor. Një prej këtyre ‘’hallkave të këtij zinxhiri’’ ishte edhe Grabova e Sipërme ose siç njihet përgjithësisht: Grabova. Të dhënat rreth shkëlqimit të dikurshëm të saj i kemi nga një sërë burimesh të cilat na dëshmojnë se ajo dallohej në përpunimin e leshit, drurit dhe të gurit. Ndërsa ekonomia tradicionale përfaqësohej nga blegtoria dhe kultivimi i drithërave2.
E ndodhur sot vetëm 44 km nga qyteti i Gramshit, mendohet se ky vendbanim u krijua gjatë mesjetës si kryeqëndra e zonës së Vërçës, Sulovës dhe Lenies3. Përgjatë Grabovës së Sipëmre kalonte një degëzim i rëndësishëm rrugor që lidhte aksin e dikurshëm të rrugës Egnatia me qytetin e Voskopojës dhe qëndrat e tjera të këtij rajoni.
Prishja dhe ndërprerja e këtij zhvillimi do të vinte prej sulmeve dhe rrënimeve të një një sërë luftërash feudale të kohës, të cilat në vitet 1767-1828 do të shkatërronin qëndrat e mëdha të Voskopojës dhe Vithkuqit4. Pavarësisht se Grabova nuk përjetoi ngjarje të tilla, ndoshta për shkak të pozicionit të mbrojtur natyror, braktisja e saj erdhi natyrshëm. Popullsia nisi të lëvizë drejt qëndrave dhe krahinave të tjera të vendit. Një gjë të tillë e dokumenton edhe letra vitit 1813, që Ali Pashë Tepelena, i dërgon popullsisë të Beratit dhe Myzeqesë për ndërtimin e manastirit të Shën Kozmait në Kolkondas (Fier).
“Juve rum të nahijes së Beratit, myzeqarë dhe vlleh grabovarë, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop që të më ndreqë manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe unë me aspra e të ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatëri dhe pastaj do t’i paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi. Në Gjirokastër, më 12 shtator 1813’’, shkruhet në të, shkruan ai5.
Rreth këtij problemi të vendosjes së grabovarëve në Myzeqe, etnografi Rrok Zojzi shkruan se: ‘’Vllehët në Myzeqe ndahen në katër kategori: grabovarë, ujanikë, frashërllinj dhe grebenarë’’6.
‘’Emnat e ndryshëm të këtyne kategorive i morën nga vendi ku kishin stanet e verës: grabovarët në malet e Verçës, Gorës, Oparit etj. Ujanikët në bjeshkë të Tomorrit, të Skraparit etj; frashërllinjtë se kalojshin verën në male të Dangllisë, Kolonjës, rrethit të Korçës, etj, grebenarët ose krevenarët kalojshin verën në malet e Pindit në Greqi. …Grabovarët u vendosën në Myzeqe që nga gjysma e parë e shek. XIX dhe nga koha e gjatë e bashkëjetesës me vendas shkuan drejt shkrimjes me ta’’, shton më tej ai në studimin e tij: ‘’Ndamja krahinore e popullit Shqiptar’’7.
Një dëshmi e tillë tregon se Grabova ka qenë e banuar qysh dikur nga një popullsi me origjinë arumune (vllehe), një pjesë e së cilës jeton akoma këtu. Nga bisedat dhe kontaktet me ta kupton se edhe sot, ata e ruajnë të gjallë gjuhën, traditat, doket dhe zakonet.
Ndërkohë që nga Grabova e dikurshme ruhet vetëm një prej urave të vjetër prej guri, ajo mbi përroin e Sharrës dhe kalldrëmet e rrugëve të dikurshme. Kurse nga historia moderne ruhen kujtime nga ngjarjet e dy luftërave botërore. Kështu gjatë Luftës Italo-Greke, në malet përreth gjatë dimrit të vitit 1941 u ndëshën trupat italiane me ato greke.
Disa vite më vonë, në Grabovë kaloi dhe u ndal edhe një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Gjatë periudhës së komunizmit pavarësisht se ishte një fshat i thellë malor, Grabova, nuk i shpëtoi kolektivizimit të bujqësisë. Po kështu, gjatë kësaj periudhe fshati kishte shkollë 8 vjeçare, qendër shëndetësore, vatër kulture, muze historik dhe njësi tregtare8.
Ndërsa sot ky vendbanim i vogël përfaqëson një nga fshatrat e njësisë administrative Lenie të bashkisë Gramsh, e cila përbëhet nga fshatrat Lenie që dikur quhej Shënepremte, Bicaj, Grabovë e Poshtëme, Grabovë e Sipërme, Kuratë dhe Valth9.
E ndodhur në lartësinë 1300 m përgjatë shpatit perëndimor të malit të Valamarës, në territorin ku ndodhet Grabova janë gjetur disa gjurmë arkeologjike. Një gjë të tillë e dëshmojnë gjetjet e rrënojës së një ure antike dhe e dy relieveve të gdhëndura10. Ndërsa hidrografia përfaqësohet nga përroi i Shën e Premtes, degë e lumit Devoll dhe Liqeni i Zi, të cilat krahas pyjeve, livadheve, shkëmbinjve të shumtë, ku mund të veçojnë ata të Kopaçit dhe të Semit, krijojnë një pejsazh të bukur dhe mahnitës11. Edhe panorama përreth është befasuese me malet përreth të Valamarës, Lenies, Kobjanit, etj.
Ndërkohë që krishtërimi në Grabovë ka rrënjë të forta. Ai përfaqësohet nga rrënojat e një sërë kishave të dikurshme nga të cilat kanë mbetur në këmbë, ato të Shën Nikollës, Shën Parashqevisë dhe kishëza e Shën Kostandinit dhe Helenës. Por kisha e Shën Nikollës është objekti më imadh dhe i rëndësishëm e cila përket shek. XVIII. Ajo është ndërtuar me material guri të lidhur me llaç dhe dallohet për arkitekturën e veçantë në formë drejtëkëndëshi të orientuar në aksin lindje-perëndim. Me përmasa 25 x 20 m ajo përbëhet nga naosi, altari, narteksi, portiku dhe këmbanorja. Naosi trenefësh ndahet nëpërmjet një kolonade të pajisur me harkadë. Tavani i tij drunjtë është i pajisur me zbukurime dhe ornamente dhe piktura shumëngjyrëshe me motive fetare. Prej druri janë punuar edhe stolat e drunjtë dhe froni episkopal.
Ndërsa çatia e shkallëzuar dyujëse është ndërtuar me kaprita druri dhe e mbuluar me rrasa guri. Me këtë material është shtruar edhe dyshemeja e naosit e cila ndahet nga altari nga një ikonostas druri. Në pjesën jugore ndodhet një portik i pajisur me kolonadë ku ndodhet edhe porta kryesore e hyrje për në kishë, sipër harkut të së cilës ndodhen dy afreske me figurat e dy shenjtorëve luftëtarë: Shën Gjergjit dhe Shën Dhimitrit.
Ndërkohë në skajin jugperëndimor ndodhet edhe këmbanorja në forme kulle e mbuluar me çati guri njëlloj si ajo e kishës. Ajo gëzon statusin si monument kulture dhe është restauruar nën kujdesin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në vitet e fundit. Ndërsa varret e vjetra përreth kishës dëshmojnë një pjesë të historisë së vjetër dhe të re të Grabovës.
Por nga Grabova e Sipërme janë edhe Çetirët, një familje piktorësh që e ushtroi veprimtarinë e saj për disa breza gjatë një periudhë prej 142 vjeçare. Ata mbanin edhe një mbiemër të dytë, Katro dhe e nisën aktivitetin e tyre duke filluar me piktorin e parë, Gjergj Prend Çetirin, në vitin 1775, për të përfunduar me nipin e tij, Gjergj Nikoll Çetirin, në vitin 186612. Të tjerë piktorë të kësaj familje kanë qenë edhe Joani, Naumi, Nikolla dhe Kostandini. Ndërkohë që piktori më i shquar ndër ta ishte padyshim, Joan Çetiri. Sipas studiuesit Theofan Popa, ai ka qenë piktori më i mirë gjatë shek. XIX, në këtë gjini në krejt Ballkanin13. Për pikturën e Çetirëve, studjuesi Jorgos Jakumis, thekson se krahas karakterit pasbizantin të traditës kishtare ata ofruan një ikonografi më të lexueshme dhe të interpretueshme, në të cilën futën elementë realistë nga tradita dhe zakonet vendase, jeta sociale, veshjet, peisazhi dhe ideologjia laike14.
Çetirët kanë punuar përgjithësisht në kishat e Beratit dhe të Myzeqesë, ku mund të veçojmë kishën katedrale të Shën Mërisë në Kalanë e Beratit, si dhe kishat e Fierit, Kolkondasit, Karavastasë, Vanajt, Kadipashajt, Krutjes së Sipërme, Toshkëzit, Bishqethmit, Strumit, Kozarës, Paftalit, Vërtopit, etj15. Çetirët nga Grabova ishin përfaqësues të shkollës ikonografike të Korçës dhe e mësuan mjeshtërinë nga mësuesit e tyre, piktorët Athanas dhe kostandin Zografi16.
‘’1798 shkurt 16. Me dorën e Jan Çetirit, nga qyteti Grabovë’’, shkruhet në mbishkrimin e ikonës së Krishtit që ndodhej në ikonostasin e dikurshëm të kishës së Shën Gjergjit në Fier, e cila ruhet dhe ekspozohet sot në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë17. Të tjera Ikona të mjeshtërve të kësaj famljeje janë ekspozuar edhe në Muzeun Historik Komëtar dhe Muzeun Onufri në Berat.
Por ajo që nuk ka humbur kurrë në Grabovë është ndjenja e dashurisë së këtyre njerëzve për vendlindjen dhe krenaria e ligjshme që ndiejnë për të. Pavarësiht se një pjesë e banorëve kanë emigruar jashtë vendit, apo janë vendosur në qytete të tjera të Shqipërisë, jeta përsëri këtu vijon, duke u mbështetur qëndrestarinë njerëzore dhe ekonominë e traditës. Dhe nëse i pyet këta banorë se ç’përfaqëson ky vend për ju, ata me shpejtësi të përgjigjen në mënyrë lakonike se: – ndihem krenar që jam nga Grabova! Ky vend është pjesë e historisë!

…………………
1-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 37-41
2-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 315
3-Zylyftar Hoxha, Grabova e Sipërme e Gramshit, mister dhe magji turistike, orakujtetomorrit.al
4-Materiale dokumentare për Shqipërinë e Jugut të shek. XVIII-fillimi i shek. XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit), II, ASH, Tiranë, 1981, f. 102; Theofan Popa, Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë, ASH, Tiranë 1998 f. 197, 198-199
5-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 82
6-Rrok Zojzi, Ndamja krahinore e popullit shqiptar, “Etnografia Shqiptare”, I, USHT-IHGJ, Tiranë 1962, f. 56-57
7-Po aty, f. 56-57
8-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 315
9-Ëikipedia, Grabovë e Sipërme
10-IMK, Monumentet, Rrethi i Gramshit
11-Ëikipedia, Grabovë e Sipërme
12-Kliti Kallamata, Ikona, Athinë 1998, f. 32
13-Theofan Popa, Piktorët Grabovarë Çetiri nga Familja Katro, BUSHT, Tiranë 1960; Theofan Popa, Piktorët Mesjetarë Shqiptarë, MAK, Tiranë 1961, f. 104-119.
14-Fondacioni Grek i Kulturës Vatra i Tiranës, Katalog, Tirana-Fieri 2012, 4
15-Th. Popa, Piktorët Grabovarë Çetiri nga Familja Katro, BUSHT, Tiranë 1960; Fondacioni Grek i Kulturës Vatra i Tiranës, Katalog, Tirana-Fieri 2012, 4
16-Kliti Kallamata, Ikona, Athinë 1998, f. 32
17-Theofan Popa, Mbshkrimeve të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 114

Shënim: Ky artikull është i paplotë dhe pret vërejtje dhe sugjerime nga ana e lexuesve dhe specialistëve të fushës.

 

Share With:
Rate This Article

kelcyrjoti.1988@gmail.com

No Comments

Leave A Comment