Video / Qyteti i Kosoves qe po “çmend” shqiptaret e Shqiperise
Qyteti i Kosovës që po çmend shqiptarët e Shqipërisë
Nga Shkëlzen Henkoja Emisioni “Përtej Traditës”, TV Fax News
Në këtë episod të veçantë të emisionit “Përtej Traditës”, gazetari Shkëlzen Henkoja udhëtoi drejt Prizrenit, qytet historik i Kosovës që po kthehet në një nga destinacionet më të dashura për shqiptarët e Shqipërisë.
Me një qasje ndryshe dhe vështrim përtej turizmit klasik, emisioni sjell një tablo të plotë të bukurisë, kulturës, historisë dhe mikpritjes prizrenase, që e bëjnë këtë qytet të pazëvendësueshëm në zemrën e shqiptarëve.
Henkoja shëtit nëpër rrugicat me kalldrëm të qytetit të vjetër, ku çdo gur dhe çdo aromë ushqimi rrëfen një histori. Kamera ndalet te ushqimet tradicionale që po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë nga Shqipëria – nga qebapët e famshëm, flijat e përgatitura me dashuri, deri te ëmbëlsirat shtëpiake që janë simbol i mikpritjes prizrenase.
Në intervistat me vizitorët nga Shqipëria, ata tregojnë pse Prizreni është bërë destinacioni ideal për fundjavë: kombinimi i kulturës, çmimeve të arsyeshme, traditës së gjallë dhe njerëzve që të bëjnë të ndihesh “si në shtëpi”.
Një pjesë e rëndësishme e emisionit i kushtohet zhvillimeve dhe investimeve në qytet. Për këtë, gazetari bisedon me përfaqësues mediatik z Driton B. Siqeca të Komunës së Prizrenit, i cili flet për projektet në infrastrukturë, turizëm dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, që synojnë ta kthejnë Prizrenin në një qendër të qëndrueshme turistike për të gjithë rajonin.Një moment i ndjeshëm e frymëzues është intervista me një djalosh 17-vjeçar, i cili pas shkollës punon në një restorant tradicional. Me pasion dhe krenari, ai flet për dashurinë ndaj qytetit të tij dhe u bën thirrje bashkëmoshatarëve të qëndrojnë në Kosovë, të punojnë e të kontribuojnë për vendin e tyre. Me buzëqeshje, ai tregon se çdo pjatë që shërben është një mënyrë për të promovuar kulturën dhe shijen e Prizrenit.
Emisioni “Përtej Traditës” sjell kështu një udhëtim të gjallë në zemrën e Prizrenit aty ku historia takon rininë, ku tradita ndërthuret me zhvillimin dhe ku çdo shqiptar e gjen një copëz të vetvetes.
Ndiqni episodin e plotë të emisionit “Përtej Traditës” nga Shkëlzen Henkoja në kanalin TV FaxNews Albania në YouTube, për të zbuluar më shumë histori frymëzuese nga zemra e trojeve shqiptare.

English
French
German
Italian

