Video / Moti i keq dhe ngricat e pranverës dëmtojnë pemtarinë dhe vreshtarinë në Elbasan
Moti i keq dhe ngricat e pranverës dëmtojnë pemtarinë dhe vreshtarinë në Elbasan
Java ka nisur me diell,por temperatura të ulëta në Qarkun e Elbasanit. Megjithatë reshjet e dendura që kanë rënë gjatë të dielës veçanërisht në zonat rurale dhe ato malore kanë shkaktuar probleme të serioze në disa zona të Qarkut të Elbasanit. Situata ka qenë më problematike në bashkitë e Librazhdit, Prrenjasit, Gramshit dhe Elbasanit ku reshjet e dëborës kanë shkaktuar pasiguri dhe vështirësi në lëvizje. Një natë më parë si pasojë e reshjeve të dëborës u bllokua qarkullimi i mjeteve në Qaf Thanë,ndërsa drejtuesit e mjeteve u gjenden të papërgatitur.U desh ndërhyrja e forcave të policisë dhe borëpastrueseve për të zhbllokuar situatën.Sot lëvizja në këtë aks kryhet pa probleme.
Ulja e menjëhershme e temperaturave ka shkaktuar ngrica. Kjo ka vështirësuar jo vetëm lëvizjen e automjeteve dhe transportin e njerëzve, por ka sjellë dhe pasoja të tjera në sektorë të rëndësishëm si bujqësia dhe furnizimi me energji elektrike.Një nga pasojat më të rënda ka qenë dëmtimi i pemtarisë, vreshtarisë dhe mbjellave të pranverës të cilat ishin të ekspozuara ndaj kushteve të ftohta dhe ngricave. Kjo ka ndikuar negativisht në prodhimin e pritshëm të frutave dhe vreshtave duke i vënë në rrezik të ardhurat e fermerëve në këto zona sidomos në Njësitë Administrative Stravaj ,Rrajcë,Hotolisht ,Polis ,Qendër,Labinot Mal,Lenie ,Kukur etj . Ndërkohë dëmtimi i disa linjave elektrike ka rënduar edhe më tej situatën duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona rurale çka ka ndikuar në jetën e përditshme të banorëve. I vetmi sector që po e shijon dimrin e stërzgjatur është ai i turizmit.Vecanërisht në pikën turistike të Stëblevës dëbora ka arritur në 5 cm,duke bërë që adhuruesit e turizmit malor të rikthehen për të disatën herë.