a
Copyright Mikado Themes 2016
Copyright Channelnewsgramshi.com
HomeKryesoreNga Isa Basha / TRADITA POPULLORE PËR NGRITJEN E DOLLISË NË TREVËN E GRAMSHIT.

Nga Isa Basha / TRADITA POPULLORE PËR NGRITJEN E DOLLISË NË TREVËN E GRAMSHIT.

Nga Isa Basha / TRADITA POPULLORE PËR NGRITJEN E DOLLISË NË TREVËN E GRAMSHIT.

Nga Isa Basha 👏

TRADITA POPULLORE PËR NGRITJEN E DOLLISË NË TREVËN E GRAMSHIT.

Rrethi i Gramshit ka një pozitë të favorshme gjeografike dhe kufizohet me rrethet Berat, Skrapar, Kuçovë, Cërrik, Elbasan, Librazhd, Pogradec e Maliq.
Treva e Gramshit, ka shërbyer në shekuj, si urë lidhëse mes zonës perëndimore e asaj lindore dhe mes Veriut e Jugut. Populli i këtij rrethi ka qënë strehë pushimi e mikpritjeje për mikun e udhëtarin në shekuj. Gramshi ka katër krahina etnografike: Vërçë, Tomorricë, Sulovë dhe Shpati i Dytë.
Ashtu siç është vetë natyra, ashtu janë edhe banorët e këtyre anëve: të pashëm, të dashur e fisnikë, të zgjuar dhe hokatarë, me shpirtin të bardhë si dëbora e maleve përreth dhe mikpritës, sa më s’ka. Është cilësi e mbarë vendit tonë mikpritja, por në këtë trevë ajo çmohet dhe më shumë. Banorët e Gramshit “digjen” në zjarr për mikun, i japin ç’kanë në shtëpi dhe në shpirt dhe e bëjnë të ndihet si pjesëtar të familjes së vet. Ashtu siç e respektonte dhe e nderonte mikun, këtë gjë kërkonte dhe për cilindo mik që i trokiste në derë.
Në anët tona, çdo gjë cilësore, si: buka, rakia, frutat, rrobet e shtrojes e të mbulesës, zgjidheshin më të mira për të kënaqur mikun. Njëra nga dhomat, apo konaku siç quhej në anët tona, ishte posaçërisht për mikun. Ajo dhomë ishte dhe më e rregulluara: me oxhak e tavan, dollapë muri, kamare për takëmet e kafesë e të duhanit, hambarë e musëndra, me rrobat e shtrojes më cilësore e më të bukura dhe me rrobet e mbulesës, të cilat ruheshin vetëm për mikun. Po kështu edhe takëmet e rakisë.
Gramshiotët dalin dhe e presin mikun jashtë shtëpisë, të njohur e të panjohur, zakonisht në oborr dhe e urojnë: Mirë se na erdhe! Të lumshin këmbët! etj… Nëse ishte dimër, i zoti ishtëpisë i bënte mikut një zjarr të mirë në oxhak e nëse ishte verë i servirte ujë të ftohtë, të cilin e mbushte enkas për ta në burim ose pus. I zoti i shtëpisë ishte i kënaqur me mikpritjen për mikun, atëherë kur e priste atë me bukë, mish e raki. Pa këto s’kishte respekt të plotë për mikun në të kaluarën. Edhe nëse të zotit të shtëpisë nuk i ndodhej, ai e kërkonte borxh tek fqinjët.
Rakia është prodhuar më parë se një shekull në trevën e Gramshit, sipas tregimeve të të moshuarëve, ndërsa vera është prodhuar që në lashtësi nga fisi ilir i Enkelejve dhe ai i Dasaretisë. Në këtë të fundit bënte pjesë treva e Gramshit. Dëshmi për këtë janë gjetjet arkeologjike në kalanë e Irmajit, në Tunjë. Në të janë të pranishme pitosa që shërbenin për të mbajtur verë, drith, etj. Të tillë pitosa janë zbuluar nga punime rastësore dhe në Skënderbegas, Kushovë, Grekan, Lubinjë etj. Tradita e prodhimit te verës së rrushit vazhdoi edhe në mesjetë e gjatë pushtimit osman.
Në krahinën e Sulovës, Tomorricës dhe Vërçës, rakia është zierë para një shekulli, por nuk është përdorur në mënyrë masive. Ajo përdorej si pije për të gostitur mikun dhe vllazërinë, por edhe si ilaç ndaj sëmundjeve të ndryshme . Fillimisht, në sofrën e rakisë uleshin, përveç miqve, më të moshuarit e shtëpisë apo ata të vllazërisë. Ishte zakon në këtë trevë që kur vinte miku, i zoti i shtëpisë ftonte të afërmit e vet e ndonjë plak nga vllazëria për të gëzuar bashkë më mikun, ndërsa të rinjtë nuk i ulnin për të pirë raki në sofër.
Ndryshe nga tri zonat e tjera etnografike, që kanë prodhuar dhe e kanë pirë rakinë qysh para një shekulli, kur vinte miku apo në dasma e gostira, zona e Shpatit të Dytë, në Gramsh, nuk e ka përdorur rakinë, para viteve 1960.
Pirja e rakisë përdorej si kur vinte miku, por edhe në dasma e gostira. Personat që pinin vetëm, pa pasur njeri tjetër, kanë qënë të rrallë.
Të gjitha familjet që zienin bërsi rrushi, kishin qysh më parë dhe enët për ruajtjen e saj. Pëlqehej qelqi për ruajtjen e rakisë. Fillimisht është përdorur qelqi 25 deri në 50 litra, që quhej në pjesën më të madhe të fshatrave, kashtore, zamzane dhe binde. Kur vinte miku, rakia merrej nga kashtorja dhe hidhej në shishet gjysmoke, që do ta çonin në konakun e burrave. Veç shishes sigurohej dhe filxhani pa bisht. Më vonë veç filxhanit, është përdorur edhe gota e rakisë prej kristali, po rrallë e në muhabete të vogla. Me kalimin e kohës u përdorën dhe shishe qelqi me masë 250 ml. raki
Shishja që shërbente për mbushjen e filxhanëve, për të mos u derdhur asnjë pikë raki, i vihej në vend të tapës një pjesë metalike, që e lëshonte rakinë me pakicë në filxhan e që mbyllej kur ngrihej në këmbë. Më vonë është përdorur vendosja tek grypa e një koke kaposhi të gdhendur bukur në dru bushi, nga drugdhendësit nga treva e Gramshit. Pra, këto ishin mjetet me të cilat u shtihej rakia miqve, dasmorëve, në filxhanin e rakisë
Rakia shtrohej e pihej me dolli në këto raste: Për mikun e udhëtarin që vinte tek i zoti i shtëpisë, në dasma e gostira; darka në lindjen e fëmijës; në darkën për nisjen ushtar e pas kryerjes së ushtrisë; darka për argatët që merrte i zoti i shtëpisë për punë të ndryshme që s’i përballonte dot vetëm apo për shtëpitë e reja që bënte për djalin që bëhej synet ( rrethprerja) etj., përjashto disa fshatra që vepronin ndryshe.
Rakia nuk përdorej në rastet e vdekjes, në muajin e ramazanit, në festën e Bajramit, etj.
Si bëheshin gati shishet e rakisë, ishte zakon në çdo rast, kur pihej e hahej bukë, të bëhej larja e duarve. Djemtë e caktuar për këtë shërbim merrnin gjymin me ujë të ngrohtë, legenin e peshqirin në supe dhe ua çonin miqve a dasmorëve atje tek ishin ulur (jo të ngriheshin ata e të lanin duart në fund të konakut apo jashtë).
Zakonisht në një konak, rakia shtrohej në dy qoshet e oxhakut. Në mungesë të sofrës mbnin basma ose beze për rakinë, që shërbenin vetëm për këtë qëllim. Në sofrën apo bezen e rakisë vendoseshin mezet, shishja e rakisë dhe filxhanët (më pas gotat, paguret, etj).
Dollia. Kjo traditë që vjen nga shekujt, është ruajtur deri vonë në shekullin XX në organizimin tradicional të saj. Më pas kjo traditë ka ardhur duke u zbehur, duke pësuar ndryshime në organizimin e saj stukturor. Të shohim tani se si është përdorur rakia nga banorët e kësaj treve në vite.
Kur vjen 1 – 2 miq, bëhen dy dolli dhe quhen: Dollia e të zotit të shtëpisë dhe dollia e mikut. Për çdo mik (edhe një i vetëm) i zoti i shtëpisë bënte dolli vetë dhe të dytën e bënte miku, pasi kështu kishte “kufi” muhabeti, para se të hahej buka. Në muhabete të mëdha, në dasma e gostira, dollia kishte rregulla të tjera. Nga miqtë, kur janë dy, e bën ai kryesori, që është vendosur i pari në qoshe të konakut. Në rast se njëri mik është i afërm i të zotit të shtëpisë, apo është plak, i lihet dollia atij. Nëse miku është i panjohur, por që vjen në këtë shtëpi si mik, i lihet për të bërë dollinë e dytë.
Pra, ceremoniali i dollisë, ishte një kod etik i ardhur nga shekujt, që fillonte me pritjen që i bëhej mikut e udhëtarit nga i zoti i shtëpisë, kur e priste me respekt që në oborr dhe kur e fuste në konak, urimet e ndryshme që kur pihej kafeja, tek nxjerrja e pijes apo dollia e deri tek përcjellja e tij.
Nëpërmjet dollisë, si i zoti i shtëpisë dhe miku, zbatonin rregullat e këtij kodi të pashkruar e të vendosur brez pas brezi, në dasma e gostira e në ceremoni të tjera familjare. Nëpërmjet dollisë, të dyja palët shprehin dashurinë e respektin për njëri-tjetrin, njiheshin me njëri tjetrin, ndanin hallet e gëzimet e tyre. Urimet e të zotit të shtëpisë për mirëseardhjen, për shëndetin e të gjithëve, për mbarësinë e trashëgiminë e fëmijëve që martohen e të atyre që do të martohen, për trashëgiminë e lumturinë e çiftit e për lindjen e fëmijëve si kurorëzim të kësaj martese etj.
Sa fillonte urimin i zoti, priteshin bisedat mes tyre e dëgjohej ai. I zoti i shtëpisë uronte: – Mirë se erdhët o miq!
– U faleminderit për mirëseardhjen tuaj! Kështu qoftë me dasma e gostira, etj. Thotë urimet i zoti i shtëpisë dhe pi filxhanin me raki. Të gjithë i thonë: -Të bëftë mirë! Miqtë e të tjerët i kthejnë urimin të zotit të shtëpisë. Si përfundonte urimi i të gjithë burrave të shtruar në sofër, për të zotin e shtëpisë dhe kur i fundit i thotë: “Të erdha!”, i zoti i shtëpisë bënte dhe urimin e tretë, po më shkurt se herën e parë. Theksojmë se urimin i zoti i shtëpisë e fillonte së pari nga gjithë miqtë e pastaj uronte të vetët. Miku gjithashtu e fillonte urimin nga i zoti i shtëpisë e të afërmit e tij dhe e përfundonte duke uruar shokët e vet.
Pas urimit të tretë i zoti i shtëpisë fillonte dollinë. I gjithë konaku dëgjonte dollibashin (siç quhet ai që ngre dollinë). Pas tre urimeve bëhej e ndonjë brumë nga i zoti i shtëpisë e miku. Pasi fillon dollia, nuk bëhen brume me raki më.
Dollibashi (i zoti i shtëpisë) gjen pritësin ose sekretarin. Të dy ata, për shenjë respekti ngriheshin në gjunjë ose në këmbë, kryesisht në sebete të mëdhaja me shumë burra, e kështu fillonte dollia.
I zoti i shtëpisë : – Sektretar, të kam gjetur me një shëndet për mikun. Sa qoftë, me nder e faqe të bardhë !
Pritësi/it : – Të gjetët e mira, dollibash ! Mikun t’a kemi me jetë e shëndet e faqebardhë !
Dollia pihej dy e nga dy në secilën sofër, me rregull të madh e disiplinë. Të gjithë dëgjonin shëndetet e dollisë e ata duhej t’i mbanin mend. Pas viteve 1960, përcaktohej radha e pirjes së shëndetit deri tek miku i fundit, dhe raki pinin të gjithë dhe jo vetëm ngritësi dhe pritësi/it.
Dollia s’ka kuptim pa këngë e valle. Këngë këndoheshin dhe para se të shtrohej rakia, po jo në të gjitha rastet. I zoti i shtëpisë i thoshte ndonjë këngëtari, nga fisi ose vëllazëria, po ai me shaka i thoshte: “Nuk këndon bretkosa pa ujë”. Mes shakave, këndoheshin këngë nga të dy palët, pa e “ngrohur”gurmazin me raki.
Në fillim të muhabetit caktoheshin sa dolli do të bëheshin, por jo sa këngë do të këndoheshin. “Dollibashi, si kishte bërë disa shëndete, këndonte një këngë. Si mbaronte këngën bëhej urimi me filxhanin e rakisë dhe me gojë: “U lumtë goja!”, “Si goja zemra”! “ Të pimë për mirësinë, për këngën.” Më pas, dollibashi ose njëri nga njerëzit e vet duhej të këndonin këngën e dytë. Pa bërë i zoti i shtëpisë dy këngë, nuk këndonte miku.
Si këndonte i zoti i dasmës këngën e dytë, atëherë këndonin dhe miqtë, po dy këngë. Më pas
këndonin këngë pa rradhë, po gjithmonë duke marrë leje tek dollibashi.
Zakonisht, në dasma a sebete të mëdha, bëheshin tri dolli e ndonjëherë dhe katër, sipas miqësisë. Në zona të veçanta bëheshin edhe më shumë, si nga i zoti i shtëpisë dhe miqtë. Në varësi të dollive, bëheshin edhe shëndetet. Shëndetet ishin 20, 30 e deri në 50 shëndete për çdo dolli. Në zonën e Tomorricës bëheshin shumë dolli po me 20 shëndete.
Kur mbaronin shëndetet e dollibashit, pritësi i drejtohej atij: “Të erdha dollibash.” Po kështu vepronte dhe miku në dollinë e vet. Dollibashi uronte: “U bëftë mirë!” “Gjak e dhjamë u bëftë!”
Dollibashi pas shëndeteve që ngrinte tek secili mik, vllazëria dhe nga fshati, bënte disa shëndete përmbledhëse e të veçanta, kur i vinte nga pritësi, si :
“ Për sa thamë, për te filani e për nderin tuaj të gjithëve, po e mbyll dollinë. Brum, fare mirë!”, i drejtohej pritësit. Të gjithë e uronin: “Të bëftë mirë!” ose “ Për të gjitha sa u pinë, gëzuar e me nder!”
Miku vepronte për dollinë po me atë rradhë siç veproi dhe dollibashi i parë, i zoti i shtëpisë, në dollinë e tij. Në dollinë e mikut viheshin meze të tjera.
Dollia, në sebete të mëdha, dasma, gosti etj., mbyllej me tre filxhanë, nga një për sufër, pra shëndete për të gjithë sufrën. Ç’kujtuam te sufra e parë, për filanin, filanin, … shëndet e kujtime të mira! Secilit t’i vemi në shtëpi për të mirë.
Në Tomorricë kishte edhe tre shëndete, pas dollisë së parë ose të tretë që quheshin trenarë. Këto shëndete ngriheshin nga një mik që i takonte dolli, po kishte një të moshuar përpara. Këto tre shëndete zëvëndësonin dollinë. Ja si shpreheshin subjektet: “ Miku gjente kë të donte nga dasmorët e thoshte: T’u turrça me një trenar, ose “ T’u fringsh”. Kështu piheshin tre filxhanë rrjesht me raki, nga ngritësi e pritësi e pastaj nga të gjithë”.
Veç këtyre shëndeteve, në fund të dollisë, piheshin edhe shëndete të veçantë nga dollibashët, në kohë e në vite të ndryshme, si:
Para vitit 1912 ngriheshin shëndetet e fundit të dollisë, për themelin e shtëpisë të të zotit të shtëpisë, për truallin e saj, për mirseardhjen e miqëve, për muhabetin, për tazdikun (shëndet përmbledhës për gjithë shëndetet e tjera).
Pas vitit 1912, me shpalljen e Pavarësisë, dollia mbyllej me shëndetin për flamurin shqiptar: – “Nder për flamurin shqiptar! Rroftë e valoftë dhe në dorë të shqiptarit qoftë”
Kishte raste që ngrihej shëndet edhe për mbretin e Shqipërisë, po jo kudo.
Pas vitit 1944, dollia mbyllej me shendetin e flamurit dhe gjakut të dëshmorëve.
Para viteve 1960, në ndonjë rast as bukë nuk vihej gjatë dollisë, po hahej pak meze a ndonjë gjë tjetër nga ato që viheshin në sofër, se ishin shumë në një sofër apo mësallë rakie.
Pasi përfundonin dollitë, ndonjëherë, duke parë edhe vendin në konak, bëheshin vallet nga i zoti i shtëpisë e miqtë. Më tepër vallet janë bërë mbasi hahej buka dhe hiqeshin sofrat e paisjet që u përdorën gjatë kohës që u pi rakia. Të tilla valle bëheshin edhe në ceremonitë e ndryshme familjare, por ato të dasmës kishin larmi, si vallja e të zotit të shtëpisë, e miqve e në veçanti e krushjeve shikohej shumë.
Para se të bëhej vallja nga miqtë, ashtu si dhe për këngët, bëheshin shaka mes tyre. Nga pyetjet e të zotit të shtëpisë e përgjigjet e mikut, dasmorët kënaqeshin e gëzonin.
Vallja e të zotit të shtëpisë bëhej në fillim e pastaj bëhej nga miqtë. Kishte raste që kënga e shoqëruar me valle nga i zoti i shtëpisë, merrej dyshe nga miqtë. Dy vargjet e këngës këndoheshin e vallëzoheshin nga njëra palë e kur e pushonte ajo e fillonte pala e miqve.
Pasi bëheshin vallet nga dy palët, bëheshin urimet për njëri – tjetrin dhe për të zotin e shtëpisë, për të pasur veç të mira, dasma e gostira. Me kaq çdo ceremoni merr fund.
Kënga dhe vallja popullore janë pjesë e trashëgimisë kulturore
Këngët dhe vallet popullore në vetëvete janë një histori e gjallë, duke na treguar për luftërat dhe përpjekjet e këtij populli për liri, traditat dhe mënyrën e përjetimit të festave, të gëzimeve, të vuajtjeve e të hidhërimeve etj. Ato janë përcjellë nga brezat gojë më gojë, duke na lënë neve një pasuri shumë të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore, e cila ka arritur deri në ditët tona nëpërmjet dashurisë së këtij populli për kulturën e traditën e të parëve, si dhe për të na treguar rrugën e vështirë nëpër të cilin ka ecur deri në ditët tona.
Për sa më lartë gjejmë rastin të shprehim mirënjohjen për për të gjitha ata breza këngëtarësh e valltarësh, ndër shekuj, mbledhësit e kulturës popullore, amatorët e specialistët që kanë punuar për ruajtjen e kulturës e trashëgimisë kulturore e në veçanti grupet folklorike ndër vite e më pas Ansamblin “Holta” të Pallatit të Kulturës, grupet folklorike private; “Miqësia”, “Sulova”, etj., si dhe të gjithë këngëtarët e valltarët amatorë e profesionistë.

Kjo ishte dollia e Gramshit para viteve 1990.

Tani do të ndiqni të improvizuar traditën e dollisë në rrethin e Gramshit,

Materiali është marrë nga libri i autorit Petrit Basha “Rite dhe praktika rituale nga rrethi i Gramshit”.
Përpunoi: Isa Basha
Dhjetor 2024

Share With:
Rate This Article

kelcyrjoti.1988@gmail.com

No Comments

Leave A Comment