Video / Gramsh / Veprimtari perkujtimore kushtuar kater deshmoreve te Atdheut … !
CERTIFIKOHEN DËSHMORË TË ATDHEUT
Në qytetin e Gramshit, në qendrën Kulturore, Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh dhe Degën e Dëshmorëve të bashkisë bënë certifikimin e dëshmorëve më të rinj, në 111 vjetorin e rënies së tyre në Luftën e Shkodrës në vitin 1913 me motivacion: “Rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për arësye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre”.
Dëshmorë u shpallën:
-Zyber Mehmet Rabo, shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 894, datë 21.05.2024.
-Nexhip Rexhep Salla, shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 895, datë 21.05.2024.
-Arif Sali Toska, shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 896, datë 21.05.2024.
-Pasho Laze Braho, shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 897, datë 21.05.2024.
Cermonin e hapi kryetari i degës së Dëshmorëve të Gramshit Abedi Bici. Përshendeti në emër të Kryesisë të Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut, prof. Zaho Golemi, i cili lexoi dhe motivacionin e certifikatave të dëshmorëve. Pjesëtarë të Familjeve të Dëshmorëve morën certifikatat dhe falënderuan për nderimin që ju bëhet për gjakun e derdhur në Luftën e Shkodrës të të parëve të tyre.
Në veprimtari mori pjesë dhe përshëndeti kryetari i bashkisë Besian Ajazi. Të pranishëm ishin dhe Enis Zani, kryetar i këshillit bashkiak, Alfred Ceci nënprefekt i Gramshit, Birbil Dervishi, këshilltar i ministrit të Brendshëm, Fiqrete Bici kryetare e Organizatës së Veteranëve, Behar Saliralli sekretari teknik në Komisionin e Statusit të Dëshmorit në MM, etj.
Në vijim nxënës të Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhanë një koncert me recitime dhe këngë për dëshmorët.
DUKURI LUFTARAKE TË REZERVISTËVE SHQIPTAR
Luftëtarë redifë peqinas, elbasanas, gramshiotë dhe librazhdas të qarkut të Elbasanit u rreshtuan në çetën e kapedan Mahmut Xhelili. Ai kishte përvojë luftarake dhe shquhej si një burrë trim, i urtë dhe drejtues në mjaft luftime. Ai kishte shkruar faqe heroizmi, treguar guxim dhe atdhetari të lartë. Me këtë frymë luftarake ai organizoi shpejt taborrin e Elbasanit ku ishin mbi 250 luftëtarë të gatuar në “brumin” atdhetar të vijimësisë. Me këtë frymë luftarake taborri i Elbasanit u zprovuan në sfidën e madhe të betejave në Shkodër, në Tarabosh dhe në Malësinë e Madhe. Ky taborr kudo tregoi vitalitet luftarak, energji, vrull dhe nuk e ndalën sulmin. Shkodra ra me tradhëti se nuk kishte asnjë lloj mënyre tjetër të mundshme të rënies të saj. Fuqitë e Mëdha të kohës i detyruan malazezët që të tërhiqeshin jashtë kufirit shqiptar.
Luftëtarët e taborrit të qarkut të Elbasanit dinin mirë të luftonin në front dhe në prapavijë, dinin mirë të përdornin fortifikata natyrale, por dhe ato të bërë prej tyre si transhe, pozicione mbrojtje, ata dinin ta përdornin armë në prefeksion. Një dukuri që ju përshtatej mirë luftëtarëve të taborrit të Elbasanit ishte maskimi, dukuri që u përhap edhe në luftëtarët e tjerë shqiptarë. Veshja e tyre ishte e thjeshtë dhe përshtatej mjaft mirë me objektet e terrenit. Ata shfrytëzuan në përsosmëri edhe pemët e larta dhe vetevetiu organizuan dhe zjarr me kat, duke bërë që kundështari të azgjësohej me të shtimen e parë. Një dukuri që u shfaq në luftimet në Shkodër ishte luftimi natën dhe në kohë të keqe. Këtu të gjithë luftëtarët, sikur kishin mbaruar shkolla ushtarake dinin dhe njihnin në perfeksion terrenin, evidimin e zhurmave dhe kapjen e armikut në befasi.
Nga taborri i Elbasanit në Luftën e Shkodrës luftuan trimërisht Ali Ahmet Peti (1886 Asqok Pajovë, rënë në Shkodër 1913), Sulejman Islam Salla, rënë në Shkodër 1913, Isa Hymet Bici, Jashar Vrekë Bici, Laze Mehmet Xhangoli, Cane Dylber Përfundi, Çerçiz Ajazi, Mustë Çekrezi, Sheme Çekrezi, Kame Çekrezi, Bido Çekrezi, Dape Çekrezi, Sulejman Çela, Mahmut Çela, Baze Çela, Mustafa Blogu, Musa Xhaferi, Musa Liçi, Bajram Liçi, Halim Liçi, Dalip Liçi, Xhemal Liçi, Cane Sejdini, Ramo Hida, Jaçe Brahimi, File Dervishi, Shahin Mema, Mete Mema, Mustë Llapushi, Hiqmet Llapushi, Xhelal Koçi, Arif Sali Toska, Pasho Laze Braho, Myslim Koçi, Selman Koçi, Mustafa Plaku, Qamil Elezi, Zyber Mehmet Rabo, Hasan Dule Avdiu, Nexhip Rexhep Salla, Ibrahim Rushit Dollani, Sulejman Sadush Shaipi, Kame Kotorri, Nebi Kotorri, Tele Selim Bujku, Dape Hazisi, Çaush Daja, Bilal Bajrami, Seran Murati, Pelivan Daja, etj.
LUFTËTARËT QË NGELEN PËRJETËSISHT NË ALTARIN E LIRISË
Hasan Riza Pasha komandanti i garnizonit të Shkodrës ju përgjigj përfaqësuesëve të Malit të Zi se “Tashmë Shkodra është një qytet shqiptar që nuk mund të marrë urdhra nga një komandë osmane dhe se qyteti dëshiron të mbrojë pavarësinë e vet, kundër malazezëve”. Shkodra mbrohej nën flamurin e saj shqiptar, flamurin e Ismail Qemalit. Mbrojtja e Taraboshin, kishte në dorë Shkodrën dhe pikërisht në këtë kala natyrore ngelën përjetësisht atje qindra dëshmorë shqiptarë dhe nga qarku i Elbasanit. Luftimet për mbrojtjen ishin të lidhura me fortifikime të tipit fushor me vija e hendeklidhje, çka i dha siguri qëndresës së qytetit. Shkodra qëndroi heroikisht në një rrethim më se të plotë; ndërkohë që betejat vijuan gjatë. Kronikanët dokumentuan luftën dhe theksojnë se qyteti i Shkodrës u mbrojt kryesisht nga shqiptarët. Para se të ndërronte jetë Hasan Riza Pasha, u tha oficerëve të tij se “betohuni se do ta ruani Shkodrën deri në vdekje”. Ministri i Luftës, Mehmet Dërralla për vrasjen e Hasan Riza Pashës ka thënë se na e vranë në të pabesë një hero të madh, një njeri akademik ushtarak që luftoi për shqiptarët në momentet më kritike.
Deri tani dihen emrat e mbi 30 luftëtarëve që ranë në Luftën e Shkodrës nga taborri i Elbasanit. Luftëtarët e qarkut të Elbasanit që mbritën të gjallë në familjet e tyre, tregonin histori nga më të ndryshme gjatë atyre luftimeve të zhvilluar për mbrojtjen e atdheut. Ata për këtë luftë tregonin guximin e luftëtarëve, të qytetarëve shkodran për mbrojtjen e qytetit për sakrificat e tyre të shumta. Shumë prej luftëtarëve sollën në vendlindjen e tyre tmerret e luftës dhe historitë se si i varrosën shokët të rënë dëshmorë për Shkodrën. Ata varroseshin në luftë e sipër, ku i “ku i zuri balta”, kështu ky ishte dhe një zakon i trashëguar për luftëtarët. Ata që binin në luftë nga të gjitha anët e katër vilajeteve shqiptare në pamundësi për t’u transportuar trupave të tyre, varroseshin me cermoni aty ku kishin rënë.
Shkodra u tradhtua pa marrë parasysh faktorin ushtarak të qëndresës, sepse Mali i Zi e kishte të pamundur pushtimin me armë të Shkodrës përballë shqiptarëve që me qëndresën historike, mundën armiqtë, duke lënë mijëra të vrarë në fushëbetejë, një fakt i pranuar dhe nga serbo-malazezët. Shkodranët nuk pranuan të dorëzohej qyteti i tyre. U harrua amaneti i fundit të Hasan Riza Pashës, i këtij dëshmori dhe heroi të qëndresës, por dhe i çdo shqiptari që gjakun e derdhi për tokën shqiptare, sikurse ishin dhe dëshmorët e Pajovës, të Peqinit, të Gramshit, të Elbasanit.
Ata luftëtarë që u kthyen nga lufta prunë jo vetëm historitë e rënies së tyre, por edhe këngë. Një këngë që luftëtarët gramshiotë sollën ishte për tradhëtinë e Esat Toptanit. Kënga thoshte: …Karadaku brigje-brigje,/ digje Esat Pasha digje,/ Nuk e djeg se është i vogël,/ do ta lë sa të vijë në Shkodër…
BERNARD ZOTAJ