Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje nis në Njësinë Administrative Shushicë dhe Gjinar Bashkia Elbasan ka nisur procesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje për vitin 2024
Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje nis në Njësinë Administrative Shushicë dhe Gjinar
Bashkia Elbasan ka nisur procesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje për vitin 2024 në Njësinë Administrative Shushicë, duke zhvilluar takime me banorët dhe përfaqësuesit e zonës për të identifikuar nevojat dhe prioritetet kryesore. Ky proces, i cili është kthyer në një traditë të suksesshme të bashkëpunimit me qytetarët, synon të përfshijë komunitetin në vendimmarrjen për shpërndarjen e burimeve financiare dhe hartimin e politikave zhvillimore.
Në takimet e mbajtura morën pjesë nënkryetari i Bashkisë Elbasan, z. Asim Sula, kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Lutfi Lala, si dhe përfaqësues të njësive administrative përkatëse. Diskutimet u përqendruan në investimet e nevojshme në infrastrukturë, përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe energjinë elektrike, si dhe në ndërtimin e një këndi sportiv për shkollën e zonës. Banorët kërkuan gjithashtu ndërhyrje për asfaltimin e rrugëve të brendshme dhe ndriçimin publik.
Në Gjinar dhe Zavalinë u vlerësuan investimet e deritanishme, duke përfshirë rregullimin e qendrës së Gjinarit dhe asfaltimin e disa rrugëve kryesore. Banorët e këtyre zonave ngritën kërkesa për ndërhyrje shtesë në përmirësimin e rrugëve të brendshme dhe zgjerimin e shërbimeve publike.
Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje vazhdon të jetë një instrument kyç për përfshirjen e qytetarëve në planifikimin e buxhetit të bashkisë dhe për garantimin e transparencës në përdorimin e fondeve publike.