Vangjel Tavo fiton zgjedhjet në Himarë, e fton Petro Gjikurinë të bëhet nënkryetar i Bashkisë
Pas një kalvari prej më shumë se 15 muajsh, Himara më në fund ka dhe kryetarin e saj të ri të bashkisë.
Me një diferencë prej më shumë se 1470 votash, kandidati i mbështetur nga mazhoranca dhe ish-prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo është zgjedhur kryetari i ri i bashkisë në qytetin e vogël bregdetar.
Tavo, pas numërimit dhe të kutisë së fundit arriti të mbledhë 5022 vota, kundrejt 3545 që mori rivali i tij i koalicionit Bashkë Fitojmë, Petro Gjikuria.
Numërimi i votave u zhvillua pa ndërprerje për më shumë se 6 orë dhe nuk u raportuan incidente.
Në të njëjtën mënyrë u zhvillua dhe procesi i votimit në të gjithë bashkinë e Himarës, ku problematikë e vetme ishte moslejimi i votimit i personave me karta identiteti të skaduara.
Ndërkohë, gjatë së dielës, përfaqësues të opozitës denoncuan angazhimin e administratës shtetërore në këto zgjedhje, si dhe regjistrimin e më shumë se 300 votuesve të rinj në gjendjen civile.