Gjimnazistët i prezentojnë projektin “Kopshtiet e Pemëve të Humbura” Kryetarit të Bashkisë Elbasan
Gjimnazistët i prezentojnë projektin “Kopshtiet e Pemëve të Humbura” Kryetarit të Bashkisë Elbasan
Një grup gjimnazistësh nga shkollat “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Dhaskal Todri” në Elbasan kanë prezantuar një projekt të veçantë para kryetarit të bashkisë z. Gledian Llatja.
Projekti i titulluar “Kopshtiet e Pemëve të Humbura” synon të rivendosë lidhjen mes brezit të ri dhe natyrës duke promovuar rëndësinë e ruajtjes së bimësisë lokale.
Në prezantimin e tyre, Drejtoresha Rajonale e Arsimit Vesa Llanaj Lico, theksoi se “ky projekt është krijuar për të rritur ndërgjegjësimin mbi lidhjen njeri-natyrë. Ata kanë mbledhur informacion të detajuar për disa lloje bimësh të harruara dhe e kanë përfshirë atë në kode QR”.
Ndërsa sipas gjimnazistëve dhe mësuesve të tyre “ në total janë krijuar nëntë faqe interneti të dedikuara për nëntë lloje bimësh, të cilat mund të aksesohen duke skanuar kodet QR të vendosura në natyrë:.
Kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja përgëzoi të rinjtë për iniciativën dhe premtoi mbështetje të plotë për ta çuar përpara këtë projekt. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj tradite në shkolla, duke inkurajuar brezat e ardhshëm të kontribuojnë dhe ta pasurojnë më tej. Kryetari garantoi se bashkia do të ndihmojë në publikimin dhe mirëmbajtjen e faqeve të internetit për t’i bërë ato më të aksesueshme dhe më të përpunuara.
“Dy gjimnazet, të njohura për konkurencën e tyre të gjatë, kanë bashkuar forcat për këtë projekt të rëndësishëm, duke synuar jo vetëm rikthimin e traditës së luleve dhe pemëve në Elbasan, por edhe krijimin e një atraksioni turistik që identifikon dhe promovon bimësinë lokale. Ky projekt do të shërbejë si një shembull frymëzues për të gjithë qytetin”, shtoi ndër të tjera LLatja.
Në fakt qyteti i Elbasanit është njohur për lulet e tij të bukura dhe trashëgiminë e pasur botanike që ka ruajtur përgjatë shekujve.
Kjo është një karakteristikë e rëndësishme e qytetit, e cila ka bërë që Elbasani të dalë në pah për bukurinë natyrore dhe të krijojë një identitet të veçantë kulturor.